Presidenti i AKR-së që është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj Bashkimit Evropian pas deklaratave të Borrell për takimin Kurti-Vuçiç.
“BE-ja duhet së paku minimalisht ta respektojë Kosovën si shtet dhe të jetë më neutrale në negociata. Rezultati i sotëm në Bruksel është si pasojë e kësaj”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Pacolli është dakord me Kurtin sa u përket afateve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Dialogu nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Duhet vendosur afati i fundit!”.
Pacolli ka kujtuar edhe premtimin e pa mbajtur për liberalizimin e vizave.
Ndryshe, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve.