Kryeministri Edi Rama, përmes një video në Facebook, njofton se ka firmosur 15 procedura për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.
Rama thotë se, bën atë që thotë se dhe ambientet do të përdoren për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale.
https://www.facebook.com/ediramaal/videos/1351406622460140
“Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale.
Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë, të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar.
Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik! “Është thjesht shoë për të larguar vëmendjen”! Ja që nuk ishte e vërtetë. “Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë.
“Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve.
Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse të dezinformimit dhe ku gjysëm të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund”, tha Rama.