Kuvendi nuk e pranoi kërkesën e një grupi prej 7 deputetësh të opozitës për të zhvilluar debat në seancën e sotme parlamentare për përfundimin e mandatit të ministres dhe deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj që zëvendësonte sot Lindita Nikollën tha se nuk ka asnjë rast të ngjashëm që i jep të drejtë opozitës. “Kërkesa e 7 deputetëve për mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk qëndron. Në rendin e ditës së seancës së sotme është miratimi i dy raporteve të dy relatorëve. Në asnjë rast sipas rregullores nuk ka pasur debat për çështje të tilla. Kërkesa për zhvillimin e debatit nuk do të pranohet”, tha Felaj.
Por deputetja e PD, Albana Vokshi e shikon këtë rrëzim si një tentativë për ti mbyllur gojën opozitës. “Ajo që po tentoni të bëni, është që po tentoni ti mbyllni gojën opozitës. Nuk i referohem kësaj seance, por dhe seancave të tjera, na kemi hequr të drejtën e fjalës ne deputetëve, grupeve të interesit. Nuk është parë ndonjëherë që mos të jepet fjala. Ju shkelni në mënyrë të vazhdueshme rregulloren. Këtu po mbroni ministrat tuaj që po rrëmbejnë pronat”.-tha Vokshi.
Prej muajsh, opozita dhe qeveria janë në debat mbi mandatin e Xhaçkës. Sipas opozitës, deputetja socialiste Xhaçka shkeli Kushtetutën dhe gjendet në konflikt interesi, sepse shoqëria e bashkëshortit të saj përfitoi statusin e investitorit strategjik si dhe të drejtën e përdorimit për një periudhë 30 vjeçare të bregut të detit pranë hotelit turistik, që pritet të ndërtohet. Për këtë, PD kërkon heqjen e mandatit.