News24 zbardh dëshmitë e dhënë para hetuesve të efektivëve që shoqëruan mbrëmjen e 19 tetorit në komisariat Lear Kurtin, ku ky i fundit humbi jetën në rrethana të paqarta.
Burime thanë se AMP ka marrë në pyetje rreth 10 efektivë.
Të lidhura
None found
Gazetari Igli Çelmeta tha për BalkanWeb se nga tre dëshmitë e siguruara, thuhet se efektivët në asnjë moment nuk kanë parë që 32-vjeçari të gëlltiste lëndë narkotike.
Dëshmitë:
“Rreth orës 23:07 bashkë me dy kolegët ishim në patrullim me makinë në rrugën “Riza Çuka” dhe në një moment konstatuam një të ri, i cili po ecte dhe kreu disa veprime të dyshimta. Në bazë të kësaj i kërkova verifikim. I kërkova mjet identifikimi, por ai nuk kishte. Më pas e pyeta nëse kishte sende të kundërligjshme me vete dhe më pas sa dola nga automjeti, i riu u largua me vrap. Pasi e ndoqa pas 2 minutash arrita ta ndaloj përballë një marketi. Pasi e ndalova, si unë ashtu edhe i riu u rrëzuam përtokë dhe në këtë moment u afruan edhe dy kolegët e mi. E ngritëm në këmbë të riun dhe kërkuam ndihmën e patrullave. E ulëm në trotuar dhe pamë që i riu kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë kontaktova me drejtorinë vendore dhe kërkova një autoambulancë dhe që i riu të ndjehej më mirë e futëm në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim, por në makinën tjetër. Filloi të ndihej më mirë dhe i thamë të qetësohej, ndërkohë që aty erdhën patrullat me kod 20 dhe 22. Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe më pas u kthyem për të kontrolluar rrugën nëse kishte hedhur apo jo sende të kundërligjshme, por nuk gjetëm, kurse patrulla tjetër e dërgoi të riun në komisariat.”, thuhet në një nga dëshmitë.
Më pas vijon dëshmia e efektivit tjetër që thotë: “I riu fërkonte gjoksin dhe ulte kokën poshtë. Kur arritëm në komisariat i riu u kap te sedilja e makinës dhe nuk donte që të dilte, më pas e nxorëm nga makina me vështirësi dhe sapo doli prej aty filloi të dridhej, të shtrëngonte dhëmbët dhe bënte lëvizje të pakontrolluara. Menjëherë tentuam t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën dhe i mbajtëm kokën mbrapa që të mos godiste pllakat, pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara, i vendosëm një shkop hekuri në dorë pasi menduam për shenja epilepsie. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës pasi ambulanca po vonohej”.
Nga dëshmia e efektivëve disa momente kyçe:
-Efektivi deklaron se kur e ndaloi te riun u rrëzuan në tokë të dy. Filloi të ndjehej keq dhe qe ta ndihmonin e futen makinë për të qëndruar ulur. Deklaratë kontradiktore me AMP që tha se i riu u ndje keq në komisariat.
-Në komisariat u dërgua nga patrulla tjetër dhe jo nga patrulla që e ndaloi.
-I riu është mbajtur me forcë te sedilja e makinës dhe nuk donte të dilte dhe ta fusnin në komisariat.
-Në dëshmi efektivët thonë që ambulanca u vonua dhe prandaj e dërguan vetë në spital, ndërsa burime për Neës24 thonë që ambulanca shkoi në komisariatin nr.3
-Në deklaratë AMP thotë u ndje keq në komisariat, ndërsa efektivë kanë dëshmuar që, që në vendin që u ndalua u ndje keq dhe i merrej fryma.
