“Janë kursime të familjes”, flet shoferi i autobusit që u kap me mbi 500 mijë euro në portin e Durrësit

Pasditen e së premtes, në Portin e Durrësit u sekuestruan mbi 500 mijë euro të padeklaruara në një autobus që vinte nga Bari, Itali.

Paratë ishin të fshehura në tavanin e autobusit dhe të ndara në gjashtë qesë plastmasi. Pas kapjes së parave në pranga ra shoferi, njëherësh dhe pronari i kompanisë së transportit, Elidon Çela.

Çela ka dëshmuar në lidhje me shumën e kapur dhe mësohet se thënë se paratë ishin kursime të familjes dhe se do të investoheshin në toka me qira dhe bujqësi.

“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit. Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje” është shprehur ai.

Kompania e transportit në të cilin u gjetën eurot ka qenë edhe më parë objekt shkeljesh.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë./albeu.com


Shtuar 24.10.2022 10:35