Nga Dumani te vëllezërit Beqiraj, kush janë “Il pentitot” që “fundosën” bosët e krimit! Si u qëlluan gardistët me artileri

Rrëfimi në polici i vëllezërve Beqiraj, mbi lidhjet e tyre me krimin e vrasjet, çoi pas hekurave 14 persona dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim.

Duket se bëhej fjalë për një grup të strukturuar të vrasjeve me pagesë, që ra në dorën e policisë, falë dëshmive të vëllezërve Beqiraj.

Por jo vetëm këtë herë të penduarit e drejtësisë çojnë pas hekurave persona të shumtë të botës së krimit, raporton albeu.com.

Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, “zbërthimi” i Nuredin Dumanit para oficerëve të policisë, nxori në pah me dhjetëra vrasje të porositura nga emra të njohur të botës së krimit.

Në dëshminë e tij morën vëmendjen më të madhe porositë e Ervis Martinajt për të vrarë Endrit Doklen dhe porositë e Erion Alibejt për të eliminuar kundërshtarët.

Gjithashtu një tjetër i penduar që dëshmoi veprimtaritë kriminale të bandave përpara policisë ka qenë Luftar Reçi. Reçi I dënuar me 25 vite burg rrëfeu vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.

Rrëfimet e tij ai i bëri në datat 21 tetor, 31 tetor dhe 26 nëntor të vitit 2020, ku tregoi të gjithë veprimtarinë kriminale që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij, me qëllim për të zbutur dënimin.

Një tjetër rast i pendimit të autorëve të krimeve ka qenë rasti i Ndriçim Gjokonas, i cili “shkriu” grupin e vrasësve me pagesë, pjesë e të cilit ishte dhe bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Julian Sinanaj. Nga ky shërbim Gjokonaj përfitoi ulje dënimi me 17 vite burg nga Apeli i Krimeve të Rënda pasi gjykata ka vlerësuar statusin e tij si i penduar në zbardhjen e krimeve të bandës së tritolit në Vlorës, por dënimi për vrasësin me pagesë të bandës, Julian Sinanaj, me 30 vite burg, mbeti i pandryshuar. Gjithashtu edhe Andon Mëhillaj, kreu i këtij grupi kriminal po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Ndërsa rasti më i bujshëm që një “i penduar” rrëfen ngjarjet, ishte rasti i Bujar Buzanit, i cili rrëfeu vrasjen e 6 gardistëve dhe plagosjen e 16 të tjerëve në Cërrik të 1997, një ngjarje e njohur si “Masakra e Cërrikut”, raporton albeu.com.

Gjithçka ndodhi në orët e parë të mëngjesit, kur një autokolonë me blinda të Gardës së Republikës dhe të forcave speciale ranë në një pritë të armatosur në qendrën e qytetit të Cërrikut, ku vdiqën 6 persona. Autokolona u qëlluar me artileri të rëndë nga tarracat e pallateve që rrethonin qendrën e qytetit dhe kishin zonën nën kontroll./albeu.com/