Këshilli i sigurimit “mblidhet” në Tiranë, Xhaçka: Një vend anëtar i KS po abuzon me rolin e tij për agjendë të paligjshme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mirëpriti në Tiranë Grupin Informal të Punës të Këshillit të Sigurimit të OKB, për Dokumentacionin dhe Çështjet e Tjera Procedurale (IWG).

Kryediplomatja shqiptare theksoi se bota nuk ka luksin të përballojë të ketë një Këshill Sigurimi që nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij parësore, e cila është garantimi i sigurisë dhe paqes botërore.

“Është për të ardhur keq që në shumë raste Këshilli i Sigurimit duket si jofunksional. Nganjëherë është i paralizuar dhe bëhet i pafuqishëm, i paaftë për të vepruar pikërisht atëherë kur bota ka më shumë nevojë për të.

E kam fjalën për agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës, që po bëhet nga një anëtar i Këshillit të Sigurimit, i cili, kjo është vërtet një ironi shumë e hidhur, po abuzon me rolin e tij si mbrojtës i paqes dhe sigurisë botërore, duke bllokuar Këshillin për hir të agjendës së tij të paligjshme ekspansioniste dhe për hir të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj rendit të bazuar në rregullat ndërkombëtare”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Për 3 ditë me radhë përfaqësues zyrtarë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, studiues të përzgjedhur dhe përfaqësues nga Divizioni i Çështjeve të Këshillit të Sigurimit (SCAD) do mblidhen në Tiranë për të ndarë idetë, pozicionet dhe mendimet mbi avancimin e metodave të punës së Këshillit. Në pritjen e organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme merrni pjesë edhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.


Shtuar 6.10.2022 09:22