Raporti i KLSH thotë se fëmijët e “Zyber Hallullit” ushqehen më pak se norma, Manastirliu e mohon

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi të realizuar për periudhën 2019-2020-2021  ka rezultuar se shtëpia e fëmijëve “Zyber Hallulli”  nuk ka zbatuar kuotën e nevojshme ushqimore për fëmijët që ndodhen të strehuar aty.

Kjo temë ka përplasur në Kuvend deputeten demokrate Ina Zhupa me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Zhupa tha se opozita do të dorëzojë në Kuvend një kërkesë për të ngritur një komision hetimor për organet që kanë për detyrë kontrollin.

Zhupa: “Do të ishte në dinjitetin e qeverisë që të reagonte për çështjen tek “Zyber Hallulli” dhe dhunën në shtëpitë e fëmijëve si në Sarandë. Të kërkojë e mbështesë kërkesën e opozitës për komision hetimor për aktivitetin e organeve që kanë detyrë për kontrollin e institucioneve. Janë të dhëna tronditëse dhe vetëm maja e ajsbergut. Është vetëm një raport i KLSH nuk flet dot për gjendjen reale të fëmijëve vetëm letrat shohin. Këta vjedhin bukën e fëmijëve. Është çështja që duhet të na prekte të gjithëve sot. Është çështje zemre jo vote sepse fëmijët nuk votojnë. Raporti i KLSH thotë se marrin kuotë ditore 2 mijë lekë më pak, por meqë vendimi ka dalë që në 2018 dhe nuk janë indeksuar, edhe sikur të jepej kuota e plotë, do të ishte sërish më pak se sa duhej. Katër vjet që nuk indeksojnë kuotat ushqimore. Operatorët e zgjedhur nuk janë me certifikatë nga AKU për cilësinë e ushqimit.”

Sakaq ministrja Manastirliu tha se llogaria është bërë me makina të marra borxh nga politika. Sipas saj, raporti i KLSH nuk qëndron dhe vogëlushëve në shtëpitë e fëmijëve nuk i janë prekur dietat ushqimore.

Manastirliu: “E mirëkuptoj shqetësimin që ka sjellë kjo çështje, ka ndjeshmëri të lartë. Edhe unë si grua e nënë kam të njëjtën ndjeshmëri. Do të isha e shqetësuar nëse do më thoshin që fëmijëve iu është zvogëluar dieta kalorike. Llogaria është bërë me makina llogaritëse të marra borxh nga politika.

Raporti ende pa i mbërritur institucioneve, mjeshtrat e manipulimit e kanë shpërndarë duke prodhuar gjysmë të vërteta që kur gërshetohen me gjysmë interpretime janë më keq se gënjeshtrat. E citoni po nuk dini ç’flisni.

 

Dua të bëj të qartë atë që drejtoria e Shërbimit Social ka sqaruar që atë ditë. Fëmijëve pa kujdes prindëror në “Zyber Hallulli” dhe çdo qendër tjetër nuk i janë prekur dietat apo cilësia e ushqimeve. Çdo rekomandim i KLSH shihet me përgjegjësi nga struktura që po vlerësojnë raportin e KLSH.

Menuja përcaktohet nga grup specialistësh dhe respektohet deri në një. Nuk ka pasur asnjë kërkesë në ministri për masat indikuese dhe as për faktorët ekonomik. Ju keni hallin tek fëmijët apo kompanitë që po i sjellin më lirë.”

Fjalën e ka marrë sërish deputetja Zhupa e cila referoi edhe një herë raportin e KLSH-së.

Zhupa: Nëse ke vërejtje për KLSH hajde thuaji në një komision Hetimor dhe ato letra që mi tund mua silli aty. Më thua nuk i sjell se s’je KLSH, do i sjellësh se jemi më lart se KLSH. KLSH nuk besoj e quan të kapur nga opozita se e keni zgjedhur vetë. KLSH ka thënë që kuota ka qenë më e ulët. Akoma më e ulët thotë KLSH për mos indeksimin, përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë. KLSH thotë në hartimin e menusë nuk merr pjesë ekipi multi disiplinor që është në shkelje të rregullores.


Shtuar 3.10.2022 20:40