Sot Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Rudina Hajdari janë bërë bashkë me rastin e 22-vjetorit të vrasjes së liderit të Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdarit.
Të tre janë shfaqur duke kryer homazhe në të njëjtën kohë në memorialin e Hajdarit, ndërsa marrëdhëniet e tensionuara mes tyre nuk kalojnë pa u vënë re dhe në videon e mëposhtme.
Krisja e Hajdarit me liderin demokrat Basha erdhi menjëherë pas vendimit të saj për të mos djegur mandatin e deputetes në Kuvend, ndërsa tashmë pothuajse ka zyrtarizuar largimin nga kjo forcë politike, pasi në zgjedhjet e ardhshme pritet që të garojë nën një sigël të re politike.
Lulzim Basha për Azem Hajdarin: Në përvjetorin e vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë jetën dhe veprën e njeriut, që ia fali rininë dhe energjinë e tij demokracisë dhe lirisë.
Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit është përjetë shembull frymëzimi, për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie Europiane, të një Shqipërie demokratike ku qytetarët janë zot të fateve të tyre.
E sotmja është po ashtu një thirrje për rininë që të mos shohin ikjen si zgjidhje, por përballjen dhe fitoren, ashtu siç bëri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990 e në vitet që pasuan.
Vepra e Azem Hajdarit është dëshmia e qartë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë dëshirën, energjinë dhe vendosmërinë e rinisë por edhe të popullit shqiptar për ndryshim. Ndaj është koha që me frymëzimin e Azemit dhe bashkëluftëtarëve të tij të viteve ’90, të hapim rrugën e lirisë, demokracisë, mundësive të barabarta, Shqipërisë si gjithë Europa.
I përjetshëm qoftë kujtimi i heroit të demokracisë, simbolit të luftës dhe përpjekjeve për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Ndërsa Sali Berisha shkruan: Nderim kujtimit dhe vepres te pavdekshme te Tribunit te Lirise, Azem Hajdari dhe sivllaut te tij Besim Çera ne pervjetorin e renies se tyre. Azem ti je gjalle! sb