Ditën e djeshme mbeti i vrarë 19-vjeçari Erjon Xhenje në Shkodër.
I riu u vra teksa po pinte kafe në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” duke marrë 5 plumba në trup.
Policia dyshon se vrasja ka ndodhur për shkak të hakmarrjes mes fiseve në Lici dhe Bajri në Shkodër, ndërkohë që nuk ka të dhëna për të riun të jetë përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale përveç faktit se shërbente në stallën e kuajve të Astmer Bilalit, një element i fisit Bajri.
“Kam prej 1 jave që kërkoj shtëpi me qira. Ti largoj nga këtu. Nuk është problemi jonë por i nipave. Unë s’kam punë, skam lidhje me asgjë, nuk di asgjë” deklaroi i ati duke mos dhënë më shumë detaje në lidhje me kontaktet e të birit.
Viktima është djali i xhaxhait të Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021.
Mësohet se pak përpara se të ndodhte atentati, ai e kishte telefonuar djalin e tij duke i kërkuar që ta shoqëronte deri në Mal të Zi, por Xhenja e kishte refuzuar duke i thënë se ishte në lokal dhe po pinte kafe. Pak pas vrasjes, i ati u informua dhe shkoi në vendin e ngjarjes, ku u pa edhe duke shpërthyer në lot për të birin.