Fatkeqësitë natyrore edhe për shkak të ndryshimeve klimatike kanë ndryshuar agresivitetin dhe përsëritjen e tyre duke detyruar vende anembanë globit të angazhohen me plane të reja parandalimi.
Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara ku episodi më i fundit me ishte tërmeti i nëntorit 2019 që preku të paktën 11 bashki me pasoja fatale sidomos në disa prej tyre.
Në atë kohë theksi u vu tek menaxhimi i situatës nga strukturat e posaçme që prej disa kohësh po i nënshtroheshin ristrukturimit por pavarësisht reagimit në nivel kombëtar duket se minimizimi i pasojave apo reduktimi i riskut është i lidhur me angazhimin e të gjithë zinxhirit.
Një raport i mbështetur nga Banka Botërore dhe publikuar së fundmi sjell në vëmendje se bashkitë në vend vijojnë të ketë probleme sa i takon menaxhimit të fatkeqësive natyrore e lidhur kjo ngushtë me përgatitjen e stafeve, organizimin e tyre dhe disponueshmërinë e fondeve.
Pas zhvillimit të një sërë intervistave në hallka të ndryshme të institucioneve raporti vlerëson se janë hasur disa aspekte që kanë nevojë për vëmendje.
“Stafet e bashkive kanë mangësi në kuptimin e koncepteve të reja. Jo të gjitha bashkitë kanë plotësuar drejtoritë/sektorët me staf të plotë. Mënyra e mbajtjes së të dhënave në nivel vendor ndryshon nga bashkia në bashki dhe nuk është e unifikuar. Shumica e bashkive i mbajnë të dhënat në nivel raporte vlerësimi pas ndodhjes së fatkeqësive (elektronike ose të printuara), dhe disa bashki mbajnë në mënyrë elektronike të dhënat e këtyre raporteve. Ka mangësi në të dhënat që mbahen nga bashkitë përsa i përket vlerësimit të humbjeve dhe dëmeve. Ka paqartësi në mënyrën e raportimit të bashkive brenda institucionit dhe në nivelet e tjera të qeverisjes. Ka paqartësi në mënyrën e llogaritjes dhe përdorimit të fondit 4% të dedikuar për Mbrojtjen Civile. Të dhënat e fatkeqësive nuk janë të lidhura me informacion gjeografik. Bashkitë nuk kanë të dhëna në lidhje me riskun, të cilat shërbejnë për hartimin e Strategjisë dhe Vlerësimit të Riskut” thuhet ne dokument.
I njëjti vlerëson se në ligjin e ri për emergjencat civile flitet për buxhetin në dispozicion për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë por ka konfuzion lidhur me sa duhet të jetë buxheti që merr secila duke mos pasur bazë ligjore.
Raporti nënvizon gjithashtu se Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile ka krijuar një Fond Solidariteti bazuar në legjislacionin e prokurimit publik për emergjencat që mund të mbështesë bashkitë sipas kërkesës.
“Ndërsa, për herë të parë, një fond i kushtëzuar për emergjencat civile është ndarë me bashkitë në tremujorin e parë të 2022, ka çështje që duhen marrë parasysh: Shuma e ndarë nuk përkon me 4% të buxhetit të planifikuar për vitin 2022 (fondi ishte rreth 1 miliardë lekë, ndërkohë që duhet të jetë të paktën 2.5 miliardë lekë); Baza e ndarjes nuk garanton barazi për ushtrimin e funksionit; Është një transferim i kushtëzuar; pra, nuk mund të buxhetohet dhe programohet se si do të shpenzohet.
Për më tepër, baza ligjore thotë se fondet e kushtëzuara transferohen me përdorim të paracaktuar, që do të thotë se bashkitë ia alokojnë vetëm përdoruesit përfundimtar. Ndërkohë që, VKM-ja, në këtë drejtim, udhëzon bashkitë që të planifikojnë shfrytëzimin e këtyre fondeve. Bashkitë nuk dinë të planifikojnë mbrojtjen civile. Gjithashtu, ato nuk janë të sigurt për përdorimin e transfertës së kushtëzuar për këtë qëllim (rezultatet nga intervistat me bashkitë)” thuhet në raport./Monitor/