Kryeministri spanjoll në Serbi, përsërit qëndrimin kundër Kosovës

Spanja mbështet Serbinë për çështjen e Kosovës, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Beograd.

Ai tha kështu pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 29 korrik. Sanchez do të vizitojë edhe katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kosova është i vetmi vend në rajon që Sanchez nuk do ta vizitojë gjatë vizitës së tij në Ballkan.

Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një konferencë të përbashkët për media me Vuçiqin, ai tha se Spanjën dhe Serbinë i lidhë nevoja për të “respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve” dhe se “Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë në respektimin e këtyre parimeve”.

Ai gjithashtu tha se mbështet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit evropian.

“Spanja do të jetë gjithmonë me ju dhe ju keni mbështetjen tonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Marrëdhëniet politike mes Serbisë dhe Spanjës, Sanchez i cilësoi si “fantastike”, duke shtuar se edhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të arrijnë në të njëjtin nivel.

Ai tha shkëmbimi tregtar ka qenë në rritje në pesë vjetët e fundit, por shtoi se dëshiron që ky shkëmbim të rritet edhe më shumë, duke paralajmëruar ardhjen e kompanive të reja nga Spanja në Serbi.

Sanchez tha se me Vuçiqin ka folur edhe për luftën në Ukrainë dhe pasojat e luftës në Evropë, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe vendosjen e paqes në Ukrainë.

Vuçiç: Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e saj

Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa kushte në procesin e anëtarësimit në BE, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia e konsideron Spanjën një mik të madh”, shtoi ai.

Duke e falënderuar Spanjën për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe “respektimin e integritetit territorial të Serbisë”, Vuçiq tha se e ka njoftuar kryeministrin Sanchez për rrjedhën e dialogut që Serbia dhe Kosova Beogradi po zhvillojnë nën lehtësimin e BE-së.

Vuçiq tha se me kryeministrin spanjoll kanë analizuar situatën në Ukrainë dhe se ia ka atij “shpjeguar qëndrimin e Serbisë”.

Beogradi zyrtar refuzon t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Vuçiq tha se ai dhe Sanchez janë “të shqetësuar” dhe se “do të ishte mirë që lufta të përfundonte në mënyrë që ne të ktheheshim në jetën normale”.

Vuçiq tha se në vitin 2021, shkëmbimi tregtar mes Serbisë dhe Spanjës ishte 811 milionë euro dhe se pret që të dy vendet “për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ekonomike të kalojnë një miliard euro shkëmbim [tregtar]”.

Presidenti serb deklaroi se në tetor në Beograd do të mbahet një forum i madh biznesi, i cili do të jetë vendtakim për biznesmenët nga Spanja dhe Serbia.

Vuçiq përmendi edhe bashkëpunimin mes dy vendeve në industrinë e mbrojtjes. Ai tha se Serbia ka blerë dy avionë transportues nga Spanja dhe se do të vazhdojë të blejë edhe pajisje tjera.

Presidenti i Serbisë tha se me kryeministrin spanjoll ka diskutuar edhe për pozicionin e Serbisë në Ballkan dhe për nismën rajonale Ballkani i Hapur, e cila përveç Serbisë përfshinë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Vizitën e tij në Beograd, Sanchez do ta përfundojë më 30 korrik me një takim me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Deri më një gusht, kryeministri spanjoll do të vizitojë edhe Sarajevën, Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.

Sanchez po viziton rajonin me qëllim të “ringjalljes së procesit të zgjerimit” të BE-së në Ballkanin Perëndimor./REL