100 vjet marrëdhënie me SHBA, Begaj: Rolin më të madh e ka luajtur Willson

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur në takimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Begaj tha se rolin më të rëndësishëm në krijimin e këtyre marrëdhënieve e ka luajtur presidenti Willson.

“Përshëndetje të gjithëve, është kënaqësi e veçantë që mblidhemi për të kremtuar 100 vjetorin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik SHBA-në.

Padyshim rolin më të rëndësishëm në krijimin e këtyre marrëdhënieve e ka luajtur presidenti Willson, besohej fort në politikën amerikane të kohës dhe bashkëpunimit mes dy vendesh.

Më një diplomaci të hapur u bë mbrojtësi më i madh i pavarësisë dhe mos copëtimit të Shqipërisë”, tha Begaj.

Presidenti tha ndër të tjera se mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare.

“Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik. Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë”, u shpreh ai./albeu.com