Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, këto ditë tha se qëllimi është të ketë proces të suksesshëm të ndryshimeve kushtetuese, por nuk zbuloi asnjë plan konkret se si planifikon kjo çështje të kalojë në Kuvend. Tani për tani mbetet e paqartë kur do të inicioheshin këto ndryshime kushtetuese, për të cilat vetë Mariçiqi tha se ende nuk është përcaktuar kalendari për nisjen e tyre, por se duhet të përfundojnë deri në fund të procesit të skriningut. Nga opozitarja VMRO-DPMNE kanë qëndrim të prerë se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, për çka, siç tha edhe kryetari i partisë, Hristijan Mickoski deputetët e partisë së tij kanë dorëzuar deklaratë të noterizuar se do të jenë kundër. Kështu, mbetet e paqartë se si do të sigurohet shumica 2/3 që të sillen këto ndryshime, pasi deklaratat e Mariçiqit në emisionin “Triling” ku tha se me këtë do të shihet se kush është për BE, e kush jo, nuk pritet t’ua ndryshojnë mendjen deputetëve opozitarë.
“Mendoj se çdo parti politike dhe çdo deputet duhet të ketë ndjenjë për përgjegjësi në periudhën e ardhshme, sepse ky proces sapo ka filluar, do të ketë kohë për të punuar dhe për të vendosur nëse është “për” rrugën e Bashkimit Evropian apo kundër. Mendoj se kjo është dilema, nuk është asgjë tjetër. Mendoj se të gjitha partitë, të gjithë deputetët do të kenë mundësi në periudhën që vijon… ne do të hapim një dialog, do të flasim me të gjithë, që të deklarohen se në cilën anë të procesit do të jenë – për BE-në dhe vazhdimin e kësaj rruge ose për ngecje dhe bllokada të reja”, tha zëvendskryeministri Për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Në ndërkohë nga VMRO-DPMNE kërkojnë të organizohet referendum për propozimin francez. Zëdhënësi i partisë, Naum Stoilkovski, i bëri thirrje pushtetit që ta pranojë iniciativën, duke përsëritur se nuk do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese.
“Qeveria të mos ikë nga referendumi, të mos ketë frikë nga populli. Një Qeveri e cila ka arritur sukses të vërtetë, sukses historik, nuk ka pse të fshihet nga populli. Ka opsion që të shmanget nënçmimi i mëtejshëm kombëtar dhe shteti të jetë në një pozicion nënshtrimi. Dhe ai opsion është – referendumi! Edhe sot e përsërisim – VMRO-DPMNE nuk do t’i mbështesë ndryshimet e Kushtetutës, që Kovaçevski të fillojë me asimilimin në këmbim të pushtetit personal! Ky është shantazh për Maqedoninë në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO.
Nga LSDM thonë se nisma e referendumit është vetëm një farsë dhe se nuk do ta mbështesin.
“Paralajmërimet për referendum kundër konkluzioneve të Kuvendit për mbrojtje të identitetit maqedonas dhe kundër gjuhës maqedonase në BE, nuk janë asgjë tjetër se një farsë e Mickoskit për përdorim të brendshëm dhe për problemet e tij në VMRO-DPMNE. LSDM-ja bashkë me qytetarët nuk do ta lejojë këtë dhe nuk do të mbështesë referendum i cili është kundër mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, historisë dhe karakteristikave gjatë negociatave me BE-në”, thonë nga LSDM.
“Pro” referendumit janë deklaruar edhe organet më të larta partiake të VMRO-DPMNE-së, por tani për tani ende nuk është formuluar pyetja e referendumit. Për organizimin e tij, VMRO-DPMNE-ja duhet të mbledhë 150 mijë nënshkrime nga qytetarët./tv21