Duket se Greqia po shkon drejt blerjes së 20 avionëve F-35 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendi helen i ka dërguar një kërkesë zyrtare Shteteve të Bashkuara për blerjen e 20 avionëve luftarakë F-35, tha të enjten kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Në samitin e NATO-s në Madrid, ai deklaroi se Greqia po shqyrton blerjen e një grupi tjetër avionësh.
“Synimi ynë është të marrim një skuadrilje F-35 dhe është e mundur që të blejmë një tjetër”, tha Mitsotakis në një konferencë për shtyp, duke shtuar se ai pret që dërgesat e avionëve të fillojnë në 2027 ose 2028.
Mitsotakis përmendi për herë të parë blerjen e avionëve F-35 gjatë një vizite në SHBA në maj të këtij viti.
Greqia, një anëtare e NATO-s, shpenzon më shumë se dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen.
Vitet e fundit, ajo ka intensifikuar prokurimin e pajisjeve ushtarake, për shkak të tensioneve të reja me Turqinë, fqinjin e saj, rivalin historik dhe aleatin e saj në NATO.
Greqia dhe Turqia kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada për një sërë çështjesh, nga fluturimi mbi detin Egje, shtrirja e rafteve të tyre kontinentale dhe kufijve detarë, te burimet energjetike dhe Qiproja e ndarë etnikisht.
Shtetet e Bashkuara mbështetën shitjen e mundshme të avionëve luftarakë amerikanë F-16 në Turqi të mërkurën, një ditë pasi Ankaraja hoqi veton ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke thënë se aftësitë e forta mbrojtëse të Turqisë do të forconin mbrojtjen e aleancës.
Vitin e kaluar, Athina porositi 24 avionë Dassault Rafale nga Franca për 2.5 miliardë euro dhe tre fregata detare, me një opsion për një të katërt për rreth tre miliardë euro.