Rusia është duke tërhequr forcat rezervë nga i gjithë territori ukrainas. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e huaja. Ata zbulojnë më tej se Putini e ka ndërmarrë këtë hap, pasi këto forca kanë armatime të vjetërsuara.
Kujtojmë sakaq, që forcat ruse janë duke zhvilluar sulme të ashpra në rajonin lindor të Ukrainës.
Serhyi Haidai, guvernatori i Luhanskut, u bëri thirrje njerëzve në zonat e pushtuara nga Rusia në jug që të evakuohen “me të gjitha mjetet e mundshme”.
Ai tha se Rusia kishte nisur mbi 20 sulme artilerie, mortajash dhe raketash në provincë gjatë natës dhe forcat e saj po bënin presion drejt kufirit me Donetskun fqinj.
“Ne po përpiqemi të frenojmë formacionet e armatosura të rusëve përgjatë gjithë vijës së frontit”, shkroi Haidai në Telegram.
Javën e kaluar, Rusia pushtoi bastionin e fundit të madh të rezistencës ukrainase në Luhansk, qytetin e Lysychansk. Analistët parashikuan se trupat e Moskës ka të ngjarë të marrin kohë për t’u riarmatosur dhe rigrupuar. Por “deri më tani, nuk ka pasur asnjë pauzë operacionale të shpallur nga armiku,” tha zoti Haidai./albeu.com