Pasi ka shqyrtuar informacionin nga Ministria e Punëve të Jashtme, qeveria e Maqedeonisë së Veriut ka dërguar në Kuvend propozimin francez për zgjidhjen e konfliktit me Bullgarinë. Propozimi do I nënshtrohet një diskutimi dhe debati në Kuvend dhe më pas do miratohet.
“Në seancë, Qeveria ka vendosur që propozim korniza negociuese të dërgohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për shqyrtim dhe sjelljen e konkluzioneve të mëtutjeshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas mediave maqedonase, nga LSDM thonë se plani Macron nuk shkel vijat e kuqe të vendosura nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Sakaq, partitë shqiptare në Shkup janë shprehur në mbështetje të propozimit francez ndërsa VMRO-DPMNE kërkon ndryshimin e tekstit për të garantuar ruajtjen e identitetit maqedonas, përfshirë gjuhën dhe historinë, teksa akuzon qeverinë se po pranon një kompromis të dëmshëm për vendin.
Më 30 qershor, qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e konstruktuara qartë të palës maqedonase, parasheh një pranim të qartë dhe pa mëdyshje të gjuhës maqedonase, si dhe atë që protokolli me Bullgarinë të mos jetë pjesë e kornizës negociuese.Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se me propozimin është gjetur një zgjidhje kompromisi për të dyja palët.Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos 2-vjeçare të Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE./albeu.com