Simptomat që vuani nga tiroidja, mjekja Dyrmishi: Shenja që tregon se duhet të kryeni ndërhyrje kirurgjikale

Doktoresha endokrinologe në Spitalin Hygeia, Blertina Dyrmishi ka folur për patologjitë e tiroides, simptomat që shfaqin dhe trajtimin e tyre. Ndërsa shpjegoi shenjat dhe simptomat që shfaqen, Dr. Blertina theksoi nevojën e trajtimit sa më herët për të shmangur përkeqësimin e situatës. Doktoresha vuri theksin tek rëndësia që duhet t’i kushtohet gjatë shtatzanisë dhe tek kontrollet që duhet të kryhen tek të porsalindur për të mos patur probleme me zhvillimin e tyre mendor e fizik.

Krahas lodhjes, shtimit në peshë, dobësitë trupore etj, një karakteristikë e deficencës jodike është dhe zmadhimi i tiroides.

“Varet nga fakti nëse kemi një ulje apo rritje të funksionit të tiroides. Një hypotirozë duke qenë se hormonet e tiroides marrin pjesë në metabolizmin e organizmit janë persona që ndihen të lodhur, shtojnë shumë peshë, kanë tendencë të jenë të përgjumur. Sa më i avancuar të jetë stadi aq më evidente do të jenë shenjat. Kanë një ndjenjë të ftohtë, ulje të frekuencës së rrahjeve të zemrës apo të kenë fryrje në pjesën e fytyrës.

Në zonën e tiroides shoqërohet dhe me rritjen e dimensioneve të saj. Në personat me hipertirozë shenjat janë të ndryshme, personat humbin peshë pavarësisht se ushqehen dhe nuk është se kanë problem me ushqyerjen. Kanë një ndjenjë nxehtësie më të shtuar të trupit, kanë rrahje të shpeshta të zemrës, mund të kenë aritmi të llojeve të ndryshme. Mund të kenë dridhje të duarve apo zmadhim dhe fryrje të syve në një nga patologjitë e gjendrës tirode. Mund të ketë gjithashtu një rritje të dimensioneve të gjendjes tiroide.”, tha mjekja në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”.

Kur duhet t’i drejtohemi mjekut? “Nëse vuan nga këta patologji, nëse kanë një medikament që personat marrin dihet që çojnë në ndryshim të funksionit te tiroides, nëse vënë re një zgjatim në qafë, jo domosdoshmërisht të shkaktuar me dhimbje. Apo nëse vënë re prani të shenjave të uljes apo rritjes së funksionit të tiroides. Kur një person ka një aritmi, anemi të pashpjegueshme, apo rritje te kolesterolit apo yndyrnave të pashpjeguara duhet kërkuar nëse ka patologji të tiroides.”

Përsa i përket trajtimit, doktoresha theksoi se kjo varet nga stadi në të cilin paraqitet pacienti. Mund të jetë e mjaftueshme trajtimi vetëm me medikamente por ka raste kur është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.

“Janë tre arsye pse bëjmë kirurgji. Në radhë të parë, kur nuk medikamentet nuk arrijnë dot të përmirësojnë funksionin e tiroides, pasi jo të gjitha patologjitë janë të menaxhueshme me medikamente. Kur dyshohet se kemi një patologji malinje të gjendrës tiroide dhe përbën indikacion për kirugji apo në rastet kur nuk kemi problem të funksionit, por problem shtypës që bëjnë përmasa të mëdhaja të tiroides.”