Një komedi e zezë e quajtur “Another Round” përshkruan atë çfarë ndodh kur një grup mësuesish të zhgënjyer danezë, rrisin nivelet e alkoolit në gjak.
Në fillim, eksperimenti shkon për bukuri: nxënësit u përgjigjen me entuziazëm mësuesve të tyre që kanë ardhur në qejf. Por shumë shpejt, kjo pasohet nga humbja e vetëdijes, urinimi i shfrenuar dhe më keq. Në fund të filmit, skena duket pothuajse si një ditë normale në Downing Street të Britanisë.
Një sërë skandalesh për ahengjet e mbajtura në ndërtesën e kryeministrisë në Britani gjatë pandemisë, ndërkohë që pjesa tjetër e vendit ishte nën karantinë nga Covid-19, e kanë vënë në rrezik punën e Boris Johnson.
Kjo ngjarje ka nxitur akuza për kulturën e të pirit të stafit të kryeministrisë: kërkesat e kolegëve për të blerë një ftohës vere; “Të martat me pije Prosecco”; “të premtet e pirjes së verës”; një valixhe që përdoret për të transportuar pije alkoolike në zyrë, etj.
Downing Street është një vend privat: shumica e njerëzve mund të shoqërohen pa u shqetësuar për përgjimet e gazetarëve. Megjithatë, “Partygate” ka ngritur pyetjen më të gjerë nëse alkooli duhet të jetë apo jo i pranishëm nëpër zyra.
Grackat e kombinimit të pijes dhe punës janë të dukshme. Njëra është siguria: një studim i vitit 2005, zbuloi se një në katër aksidente industriale në mbarë botën, lidhen me përdorimin e drogës ose alkoolit.
Gracka e dytë është se nxit varësinë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi i alkoolit është faktori më i madh i rrezikut për vdekjen e parakohshme të personave midis moshave 15 deri në 49 vjeç, në mbarë botën. Hulumtimet e kryera në Kanada, zbuluan se normat që nxisin pirjen e alkoolit në vendin e punës, qoftë nëse shkohet për të pirë pas pune apo në zyrë, rrisin rrezikun e problemeve me alkoolin.
Një faktor i tretë që duhet marrë parasysh është efekti i punonjësve që kanë pirë, tek kolegët e tyre. Afërsisht një e gjashta e punonjësve norvegjezë, thonë se përjetojnë stres kur kolegët pinë alkool, qoftë për shkak të vëmendjes së padëshiruar seksuale apo thjesht ndjenjës së përjashtimit.
Një studim i kohëve të fundit në 12 shtete, zbuloi se 9% e punonjësve janë subjekt i një efekti negativ anësor i pirjes së alkoolit në zyrë, kryesisht duke u detyruar të mbulojnë veprimet e pahijshme të kolegëve të tyre.
Nuk është çudi që shumë organizata e ndalojnë pirjen e alkoolit në ambientet ose në orarin e punës. Lloyd’s në Londër, një treg sigurimesh i lidhur me pijet alkoolike, i ndaloi punonjësit që të konsumonin alkool midis orës 9:00 të mëngjesit dhe 17:00 të pasdites në vitin 2017; dy vjet më vonë, kompania e shtriu këtë ndalim për të gjithë grupin e njerëzve që kishin akses në ndërtesën e saj.
Por kufijtë janë të vështirë për t’u kontrolluar. Shumë punonjës pinë pas orarit të punës dhe jashtë zyrës. Kjo është veçanërisht e vërtetë në kohën e pandemisë, kur kufijtë midis zyrës dhe shtëpisë janë bërë kaq të paqartë. Nëse dikush po punon nga shtëpia me një gotë verë në dorë, a quhet sikur po pi në orarin e punës?
Ndalimet e alkoolit mund të jenë edhe kundërproduktive. Ndonjëherë klientët duhen qerasur me verë. Një studim i vitit 2012, zbuloi se një nivel i caktuar i dehjes, në fakt përmirësonte aftësinë e njerëzve për të zgjidhur probleme.
Autorët në The Economist e kanë zakon që të kombinojnë verën e kuqe me tastierën. Pijet në punë janë edhe një mënyrë e thjeshtë për të treguar vlerësimin për punonjësit. Shumë njerëzve u pëlqen alkooli dhe janë të aftë ta shijojnë atë me moderim. Pa një gotë në dorë, festat në zyrë do të ishin më pak argëtuese për shumë njerëz.
Argumenti liberal, pra që njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin vetë, është një mënyrë e mirë për të hartuar politika për pirjen e alkoolit në punë. Njerëzit duhet të jenë të lirë të pinë alkool, për sa kohë që kjo gjë nuk dëmton rendimentin e tyre.
Por kjo zgjedhje duhej të jetë e dyanshme, pa diskriminuar ata që nuk pinë alkool, çka është një problem në shumë kultura, veçanërisht në Korenë e Jugut. Normalizoni idenë e të qenët i përmbajtur, duke kufizuar shpeshtësinë e eventeve të punës dhe sasinë e pijeve që ofrohet.
Dhe nëse prapëseprapë jeni të shqetësuar për kulturën e pirjes së alkoolit, skandalet e Downing Street mund t’ju ndihmojnë. Më poshtë janë dhjetë shenja që tregojnë se gjërat po dalin jashtë kontrollit:
Mendoni se një valixhe është një njësi matëse.
E trajtoni frigoriferin si një pajisje zyre.
Sillni pije alkoolike në eventet e punës dhe laptopë nëpër festa.
Sjellja juaj ju detyron që t’i kërkoni falje mbretëreshës.
Nuk mund të numëroni deri në dhjetë.
Alkooli dhe puna mund të ndërthuren së bashku, por me moderim. Kjo mund të mos jetë këshilla më origjinale në botë, por ndjekja e saj do të kishte qenë shumë e dobishme për Boris Johnson./ Monitor