Gazetari Artan Hoxha foli në studion e Abc Live në lidhje me kapjen e një depoje armësh pak ditë më parë në Tiranë. Sipas gazetarit, ajo depo përdorej kryesisht për modifikimin e armëve, të cilat më pas përdoreshin nëpër atentate dhe ngjarje të rënda në kryeqytet dhe më gjerë.
Hoxha tha se një ndër modifikimet standarde është heqja e numrit të serisë së armës, por edhe vendosja e silenciatorëve, të cilët sipas tij kanë përdorim të kufizuar në varësi të parave që duan të shpenzojnë porositësit.
“Modifikimi tjetër është përshtatja e armëve për të mos bërë zhurmë. Silenciarët kanë përdorim të kufizuar. Ka silenciatorë një përdorimësh, ka të tjerë 3-5 si edhe 10 përdorimësh. Nëse do marrësh silenciator vetëm për një rast do të kesh më pak kosto. Në këtë bazë ka mjete të nevojshme për bërjen e silenciatorëve. Kishte susta, gomina, mjete prerëse, etj. Përdorimi i silenciatorëve u jep avantazh kriminelëve pasi nuk bëjnë zhurmë”, tha gazetari.