Gjiganti i gazit rus, Gazprom tha se do të reduktojë më tej furnizimet ditore të gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1, lëvizje kjo që ministri gjerman i ekonomisë e kritikoi si një pretekst për të mbjellë pasiguri dhe për të rritur çmimet.
Gazprom tha në një deklaratë më 15 qershor se një ulje e mëtejshme prej 33 për qind do të nisë në orën 1:30 të mëngjesit me orën e Moskës, pra më 16 qershor.
Kjo është dita e dytë radhazi që Gazprom, kompani në pronësi shtetërore tha se do të reduktonte gazin natyror të shpërndarë përmes tubacionit.
Në njoftimin e 14 qershorit thuhet se Gazprom do të shkurtonte dërgesat në 100 milionë metra kub në stacionin e kompresorit Portovaya “për shkak të kthimit të parakohshëm të njësive të pompimit të gazit nga riparimi nga Siemens”.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, e quajti këtë veprim një “vendim politik dhe jo një zgjidhje teknikisht të justifikueshme”.
Habeck iu përgjigj njoftimit të Gazprom për një ulje të mëtejshme më 15 qershor duke thënë se justifikimi i tij ishte një përpjekje për të rritur çmimin.
“Justifikimi i palës ruse është thjesht një pretekst. Është padyshim strategjia e tyre për të krijuar shqetësim dhe për të rritur çmimet,” tha Habeck në Berlin.
Aktualisht, mungesa në furnizimet me gaz mund të plotësohet nëpërmjet blerjes së gazit në treg, “megjithëse me çmime të larta”, tha Habeck, duke shtuar se “siguria e furnizimit është e garantuar”.
Rregullatori i rrjetit të energjisë në Gjermani tha se aktualisht po vlerëson situatën dhe ndikimin e mundshëm të një reduktimi të mëtejshëm të furnizimeve.
“Siguria e furnizimit aktualisht është ende e garantuar,” tha një zëdhënës i rregullatorit.
Gazprom gjithashtu shkurtoi eksportet e gazit në Itali, tha më 15 qershor firma italiane e energjisë Eni, duke shtuar se nuk ishte dhënë asnjë shpjegim për reduktimin.
“Eni konfirmon se Gazprom ka kumtuar një reduktim të kufizuar në furnizimet me gaz për sot, në një vlerë prej rreth 15 për qind”, tha një zëdhënës. Eni po monitoron situatën, shtoi ai.
Ministri i Tranzicionit Ekologjik, Roberto Cingolani tha se reduktimi e gazit nuk ka krijuar ndonjë çështje kritike deri tash. /REL/