Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e katërt, dinamika e zhvillimit të saj mund të ndikohet edhe nga përdorimi i armëve të rënda të Rusisë.
Së fundmi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha gjatë fundjavës se marina e saj kishte testuar me sukses një raketë të re hipersonike me rreze të gjatë lundrimi.
Sipas një raporti të publikuar nga revista amerikane Neësëeek, raketa e re e testuar nga marina ruse është një armë vdekjeprurëse që është ende në zhvillim, por mund të ndryshojë rrjedhën e luftës në Ukrainë kur të fillojë të përdoret në fund të këtij viti.
Revista tha se një deklaratë nga Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se raketa e re, e quajtur “Zircon”, ishte lëshuar “si pjesë e testimit të armëve të reja” dhe kishte goditur me sukses një objektiv stërvitor në Detin e Bardhë në brigjet veriperëndimore të Rusisë.
“Sipas të dhënave të kontrollit objektiv, raketa hipersonike e lundrimit Zircon goditi me sukses një objektiv detar rreth 1000 kilometra larg. Fluturimi i raketës hipersonike përputhej me parametrat e deklaruar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas zyrtarëve rusë, raketa e re mund të drejtohet në çdo objektiv nga një distancë e madhe dhe nuk mund të kapet nga asnjë prej sistemeve ekzistuese të mbrojtjes raketore.
Revista amerikane thekson se predha, edhe pse ende në zhvillim dhe besohet se do të jetë gati për përdorim në fund të këtij viti, mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën e luftës ruse në Ukrainë, pasi mund të vendoset në kryqëzorët, fregatat dhe nëndetëset ruse dhe të përdoret kundër objektivave detarë dhe tokësorë.
Newsweek citoi ekspertin e mbrojtjes Nicholas Drummond të ketë thënë se Rusia “me siguri do të përpiqet” të përdorë raketat Zircon kur ato të jenë gati për vendosje. Ai theksoi se Zircon është një raketë jashtëzakonisht e shtrenjtë, çmimi i së cilës varion nga pesë deri në 210 milionë dollarë për raketë dhe është i destinuar për sulmin e anijeve, veçanërisht të aeroplanmbajtësve.
Eksperti pohon se raketa e re “mund të përdoret gjithashtu si armë në fushën e betejës për të shkatërruar aeroportet dhe objektivat strategjikë tokësorë, si depot e municioneve dhe karburantit, depot e pajisjeve logjistike e kështu me radhë”.
Drummond beson se Rusia do të përdorë raketën e re për të intensifikuar përpjekjet e saj të luftës pa përdorur përshkallëzim të konsiderueshëm që mund të shtyjë Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) të ndërhyjë drejtpërdrejt në konflikt.