Një spikere e televizionit shtetëror rus ka pohuar se Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë.
“Operacioni special i Kremlinit në Ukrainë ka marrë fund dhe Lufta e Tretë Botërore ka filluar”, ka deklaruar ajo.
Duke folur me shikuesit në emisionin e saj Rossiya-1, Olga Skabeyeva sugjeroi se Rusia tani po përballet me një situatë ku do t’i duhej të “çmilitarizonte” NATO-n, raporton uebsajti ukrainas i lajmeve “Ukraina World”.
“Ndoshta ka ardhur koha për të pranuar, ndoshta, se operacioni special i Rusisë në Ukrainë ka përfunduar. Në kuptimin që ka filluar një luftë e vërtetë. Për më tepër, është Lufta e Tretë Botërore. Ne jemi të detyruar të çmilitarizojmë jo vetëm Ukrainën, por të gjithë NATO-n”, ka thënë ajo.
Javën e kaluar, ministri i jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se vendit tani i duheshin armë të rënda për të luftuar efektivisht kundër pushtuesve rusë në Ukrainën lindore. Kuleba shtoi gjithashtu se bisedimet e paqes me Rusinë nuk po zhvillohen realisht.
Kujtojmë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë ditës së djeshme hodhi poshtë tezën se SHBA po kërkon të çojë në ukrainë sisteme raketash me rreze aq sa mund të arrijë Rusinë.