Mungesa e gjyqtarëve, Maqedonia e Veriut shkon drejt krizës kushtetuese

Nëse deri në fund të vitit Kuvendi nuk emëron gjykatës të ri kushtetues, shteti mund të mbetet pa gjykatës.

Alarmi edhe një herë vjen nga kryetarja e këtij Institucioni Dobrilla Kacarsaka.

Në nëntor të këtij viti, skadon mandati i gjykatëses kushtetuese Valentina Markudova ndërsa nëse deri atëherë nuk ka përzgjedhje, në Gjykatën kushtetuese do të mbeten vetëm katër gjykatës.

“Nëse deri në dhjetor nuk emërohen gjykatës dhe nuk kompletohen gjykatësit kushtetues, atëherë Gjykata kushtetuese do të bllokohet. Më pas, do të duhet të dalim para qytetarëve dhe të tregojmë se jemi në krizë kushtetuese sepse me katër gjykatës s’mund të mbajmë seanca dhe asgjë s’mund të funksionojë. Por, sinqerisht shpresoj që nuk do të vendosemi në situatë të tillë si shtet”, tha Dobrilla Kacarska- kryetare e Gjykatës kushtetuese.

Me ftesë të Kacarksës, krerët e shtetit vizituan Gjykatën Kushtetuese. Ajo njoftoi Pendarovskin, Kovaçevskin dhe Xhaferin për gjendjen në Gjykatë. Asnjëri prej tyre nuk pranuan të flasin. Nga kabineti i Pendarovskit dolën me komunikatë.

“Presidenti Pendarovski theksoi nevojën për tejkalimin e shpejtë të sfidave në punën e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se është në interes të të gjithëve që Gjykata Kushtetuese të punojë në përbërje të plotë, me kapacitet të plotë dhe në kushte të përshtatshme teknike”, u shprehën nga Kabineti i Pendarovskit.

Kushtetuesja aktualisht funksionon me pesë gjykatës, që rrezikon kuorumin. Kacarska tha se për këtë shkak janë prekur shumë persona nga rastet që kanë mbetur prapa.

Bëhet fjalë për ligjet për mbrojtjen sociale, prokurorinë publike, taksat dhe vendimet për kontestimin e planeve të detajuara urbanistike.

Gjykata Kushtetuese është në pritje të rasteve për Dekretin për shpalljen e Marrëveshjes së Prespës dhe Ligjin e Gjuhëve, të cilat nuk do të futen në rend dite derisa Gjykata Kushtetuese të kompletohet me nëntë gjykatës./ Alsat.mk