Shqiptarët do të votojnë nesër për të zgjedhur qeverinë e ardhshme që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.
Por ku do të votojnë figurat qëndrore aktualisht në politikë?
Kreu i opozitës, Lulzim Basha do te jete në orën 09.00 në qendrën e votimit 1929 pranë çerdhes nr.13, Njësia 8, në kryeqytet.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama do të hedhë votën e tij në zonën e Surrelit, ku është rezident prej disa vitesh.
Nga ana tjetër, zyra e shtypit të presidencës ka bërë me dije se presidenti Ilir Meta do të votojë në Qendrën e Votimit, në Kopshtin nr.31 në Tiranë.
“Nesër, në ora 07:00, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta do të votojë në Qendrën e Votimit, në Kopshtin nr.31, Rruga “Pjetër Bogdani”, Tiranë, nga ku do të japë edhe një mesazh tepër të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës.
Presidenti Meta u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të marshojnë të qetë dhe me vendosmëri drejt kutive të votimit për të vulosur ndryshimin e rëndësishëm, të shumëpritur dhe historik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Nesër do të jetë një Festë e Demokracisë”, ka shkruar Tedi Blushi, këshilltari për mediat i kreut të Shtetit.
Ndërkohë kuvendi ka njoftuar se kryeparlamentari Gramoz Ruçi do të votojë në orën 7:30, në QV pranë Liceut Artistik.
Ditën e nesërme kanë të drejtën e votës 3,588,869 shtetas shqiptarë, 107,024 prej të cilëve janë votues për herë të parë.