Ditën e djeshme Lega Serie A ka shpallur lojtarët më të mirë për 4 pozicionet kryesore të repartve përkatëse, pra portierin, mbrojtësin, mesfushorin dhe sulmuesin më të mirë, por gjithashtu lojtarin më të mirë nën 23 vjeç.
Portieri më i mirë i sezonit u shpall Mike Maignan i Milanit. Portieri francez ka patur një sezon të jashtëzakonshëm me pritjet e tij mbresëlënëse. Për këtë sezon 26 vjeçari ka luajtur në total 38 ndeshje, ku ka pësuar 32 gola dhe ka mbajtur të paprekur rrjetën për 18 ndeshje.
Mbrojtësi më i mirë i sezonit ishte surprizë, ku në fakt pritej të ishte Skriniar, por titullin e mori mbrojtësi i Torinos, Gleison Bremer. Braziliani 25 vjeçar ka patur një sezon të mirë dhe ku gjithashtu performanca e tij ka bërë që shumë ekipe të mëdha në Evropë ta duan. Bremer ka luajtur në total 33 ndeshje këtë sezon me Torinon, ka shënuar 3 gola dhe ka asistuar 1 herë. Performanca e tij në repartin e mbrojtjes ka spikatur shumë.
Mesfushori më i mirë në Serie A, ashtu si në sezonin e kaluar, e mori përsëri një lojtar i interit. Kroati Marcelo Brozovic u shpall mesfushori më i mirë i Serie A për sezonin 21/22. Brozovic këtë sezon për Interin ka qënë i jashtëzakonshëm. Kilometrat e përshkruara në fushën e lojës, pasimet e sakta, ndërhyrjet e sakta dhe vizioni i tij në fushën e lojës kanë bërë që ai të merrte këtë çmim. Mesfushori zikaltër për këtë sezon ka luajtur 47 ndeshje, ka shënuar 3 gola dhe ka asistuar 4 herë.
Sulmuesi më i mirë pritej të ishte Vlahovic, por në fakt u shpall Ciro Immobile i Lazios. Sulmuesi italian ka qënë një bomber i vërtetë këtë sezon, ku në 40 ndeshje në total, ka shënuar 32 gola dhe ka asistuar 4 herë.
Ndërsa çmimin e lojtarit më të mirë nën 23 vjeç, e ka marrë sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen. Sulmuesi 23 vjeçar nga Nigeria për këtë sezon me Napolin ka luajtur në total 31 ndeshje, ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar 6 herë./ h.ll/albeu.com