Trupat ukrainase po përforcojnë pozicionet e tyre, ndërsa forcat ruse vazhduan sulmet ndaj fabrikës së çelikut në Mariupol, në përpjekje për ta vënë plotësisht nën kontroll qytetin port deri të hënën më 9 maj, në ditën e festimeve me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Me afrimin e festës në përkujtim të fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore mbi Gjermaninë naziste, qytetet anembanë Ukrainës u përgatitën për një intensifikim të pritshëm të sulmeve ruse. Zyrtarët u kërkuan banorëve që t’u kushtojnë vëmendje sirenave paralajmëruese për sulmet ajrore.
“Ndërsa e gjithë bota e qytetëruar kujton viktimat e luftërave të tmerrshme këto ditë, Federata Ruse do të bëjë parada dhe po përgatitet të kërcejë mbi eshtra në Mariupol”, tha zëvendësministri i brendshëm i Ukrainës, Yevhen Yenin.
Betejat më intensive ditët e fundit kanë ndodhur në Ukrainën lindore, ku të dyja palët përpiqen të sigurojnë territor që nuk është nën kontrollin e tyre.
Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se një kundër-ofensivë ukrainase po përparonte rreth qytetit verilindor të Kharkivit, ndërsa rusët arritën përparime të vogla në Luhansk, një zonë ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar që nga viti 2014.
Ndërkohë luftëtarët ukrainas vazhdojnë të bëjnë qëndresë për të parandaluar një pushtim të plotë të Mariupolit. Marrja nën kontroll e portit të rëndësishëm strategjik në Detin Azov do t’i jepte Moskës një urë tokësore për në Gadishullin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina gjatë një pushtimi në vitin 2014.
Bombardimi i fabrikës së çelikut u intensifikua ditët e fundit pavarësisht nga një premtim rus për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar civilët brenda të largoheshin. Rusia ka përdorur mortaja, artileri, sisteme raketash dhe bombardime ajrore dhe nga deti për të goditur objektin.
Ekipet e shpëtimeve u përpoqën të evakuonin më shumë civilë të shtunën. Dhjetra civilë u dorëzuan të premten nën kujdesin e përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, konfirmuan zyrtarët rusë dhe ukrainas. Ushtria ruse tha se grupi prej 50 vetësh përfshinte 11 fëmijë.
Të evakuuarit e fundit pasuan afro 500 të tjerë që u lejuan të largoheshin nga uzina dhe pjesë të tjera të qytetit ditët e fundit.
Ndërkohë një zëdhënës rajonal tha se disa raketa goditën qytetin port Odesa në jug të Ukrainës.
Zëdhënësi i administratës rajonale Serhiy Bratchuk tha se sulmet goditën qytetin pasi objektivat në rajonin përreth Odesës ishin goditur nga katër raketa më herët gjatë ditës.
Detajet e këtij njoftimi nuk janë konfirmuar ende në mënyrë të pavarur./VOA