Prej më shumë se një muaj anijet e peshkimit në Vlorë kanë fikur motorët. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve lundruese po qëndrojnë të ankoruara në kalatat e Triportit. Shkak për këtë situatë është bërë rritja e çmimit të naftës dhe peshkatarët thonë se po përballen me vështirësi të mëdha.
Sektori i peshkimit në Vlorë është në kufijtë e mbijetesës. Problematikat kryesore të ngritura nga peshkatarët janë pikërisht ato që lidhen me infrastrukturën që ka të bëjë me zgjerimin e hyrjes së portit dhe ankorimin e anijeve në zonën e Triportit të Vlorës.
“Paguajmë licenca taksa parkimi, ndriçimi, uji dhe gjelbërimi, tabelat në det. Ujë nuk kemi, drita nuk kemi, gjelbërim nuk kemi. Këtu në mbrëmje të fut tjetri gishtin në sy dhe nuk e shikon”, shprehen ata.
Gjithashtu tregojnë se ata që kanë varkat të vogla (7 metra) nuk marrin naftë më pa akcizë, pasi që të fitosh naftën me akcizë duhet ta kesh serbatorin me një sasi prej 1000 litra ose 3000 litra.
“Jo që nuk kemi për të dalë kurrë, por do të vdesim dhe për bukë. Po nuk u ul nafta do ta lidhim anijen dhe do të themi shitet. Këtu nuk ka as drejtori as përfaqësi. Paguajmë 1 90 mijë lekë të reja dalim apo nuk dalim në det”, shton njëri prej peshkatarëve.
Në këto kushte ata njëzëri pohojnë se do lënë peshkimin e në varkat e tyre do rrisin pula.
Një tjetër peshkatar shpreh pendimin e tij që erdhi nga Greqia me një mjet dhe këtu nuk përfiton asgjë “unë kam karburant për dy ditë pastaj do ta mbyll nuk ia vlen më, pasi ne merlucin na e marrin me 600 lekë ndërkohë tek konsumatori shitet me 1500 lekë. Pse?”.
Fiks Fare u interesua edhe në Drejtorinë e Peshkimit Vlorë. Drejtori Reshat Xhelilaj në lidhje me pakënaqësitë e peshkatarëve u shpreh se ata përkujdesen me bankinat dhe ndriçimin me aq mundësi sa kanë.
Por ai shprehet se janë në fazën e investimeve ku së shpejti pritet inaugurimi i markatës e më pas do kryhet investimi edhe në rrjetin e ujit.
“Brenda muajit maj do ketë ujë”, u shpreh drejtori edhe pse nuk përjashtoi vonesat se kur është lënë inaugurimi i investimit./topchanel