Lufta për parandalimin e pastrimit të parave, një proces i vazhdueshëm

Prof. Dr. Hysen Çela, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Sa më shumë forcohen masat për parandalimin, aq më shumë zotëruesit e parave të paligjshme do të vihen përpara “nevojës” për të sofistikuar sjelljen e tyre dhe për të modifikuar rrugët e pastrimit të parave.

Mjetet dhe mënyrat moderne të kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes që përdoren për të parandaluar këtë fenomen, kanë ndikuar në kufizimin e përdorimit të rrugëve tradicionale të pastrimit të parave, gjë që ka bërë që pastruesit përpiqen të gjejnë rrugë të reja, me synim fshehjen e gjurmëve të transaksioneve në të gjithë stadet e mundshme të pastrimit.

1.Pastrimi i parave synon aktivitetet e biznesit

Me qëllim paraqitjen si të ardhura në rrjedhën normale të biznesit, aktivitetet e pastrimit të parave sot priren të bëhen pjesë e aktiviteteve të zakonshme të biznesit.

Integrimi i parave të paligjshme në veprimtaritë e biznesit, i njohur me shkurtesën TBML[1] e bën zbulimin më të vështirë, pasi të ardhurat shikohen si të krijuara nga veprimtari që kryhen në pajtim me një kuadër ligjor e rregullator të miratuar nga autoritetet. Futja e parave të tilla në një biznes të rregullt kërkon “bashkëpunimin” midis zotëruesve të parave dhe drejtueseve të bizneseve.

Dhe padyshim, ka nevojë për “asistencën” e profesionistëve të kualifikuar të fushës ekonomike dhe juridike (kontabilistët, këshilltarët tatimorë, avokatët, noterët, etj.). në këtë mënyrë, maskohet origjina e të ardhurave të krimit, drogës, korrupsionit, etj., dhe legjitimohet përdorimi i tyre në vazhdimësi, duke mos përjashtuar përdorimin në financimin e aktiviteteve terroriste.

Rrugët që përdoren nga grupet kriminale për pastrimin e parave nëpërmjet aktiviteteve tregtare, janë të shumëllojshme; duke nisur që nga furnizimi i drejtpërdrejtë me para të paligjshme i bizneseve në vështirësi financiare ose paaftësi paguese (në formën e huadhënies së fondeve), përfshirja e tyre në kryerjen e transaksione fiktive, pjesëmarrja e tyre në kapitalin e shoqërive tregtare në prag falimenti, duke blerë kuota nga ortakët ekzistues, blerja apo zotërimi i plotë i bizneseve të falimentuara, etj.

Investitorët e parave të paligjshme kanë nevojë të “marrin mbrapsht” burimet e tyre. Për këtë qëllim, ata mund të krijojnë entitete biznesi të veçanta dhe mund të përfshihen në transaksione të furnizimit dhe shitblerjes së mallrave e shërbimeve me bizneset ku kanë investuar, duke lëshuar fatura me sasi dhe vlera që nuk janë reale.

Krijimi i bizneseve të reja, për shembull: një person fizik, apo një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me një ose disa ortakë, nuk është i vështirë. Kuadri ligjor i regjistrimit të biznesit në vendin tonë nuk ka parashikuar kufizime në këtë drejtim.

Krijimi i një biznesi, mund të bëhet nëse idetë, mjetet financiare dhe burimet humane e materiale ekzistojnë. Edhe kapitali fillestar prej 100 lekësh në rastin e një sh.p.k.-je, që kërkohet për regjistrimin fillestar, është simbolik. Regjistrimi i disa shoqërive të tilla në QKB krijon kushte, jo vetëm për “integrimin” e parave të paligjshme, por edhe për të shmangur taksat dhe tatimet.

Nga ana tjetër, ndarja e aktivitetit të biznesit midis disa entiteteve të veçanta të zotëruara nga i njëjti individ, apo grup individësh, bën të mundur të kontrollohet qarkullimi gjithsej, të mbahet ai nën nivelin minimal ligjor, në të cilin taksat dhe tatimet, ose janë të ulëta, ose nuk ekzistojnë.

Veç kësaj, në disa raste, ndarja në disa biznese, krijon kushtet për reduktimin e tatimit mbi vlerën e shtuar (shpesh, duke zbritur shuma fiktive të TVSH), si edhe zvogëlon rrezikun e natyrshëm dhe rrezikun në dukje të përfshirjes së entitetit të biznesit në veprimtari të paligjshme.

Nga media, publiku është njohur me disa raste të krijimit të shoqërive të tilla, që zotërohen nga të njëjtët pronarë, të cilat krijojnë zinxhirë furnizimesh fiktive për njëra-tjetrën.

Lëshimi i faturave fiktive për furnizime mallrash e shërbimesh të pakryera, keqparaqitja e mallrave, punimeve dhe shërbimeve, dhe fshehja e tyre për të anashkaluar kontrollet, si dhe shkelje të tjera doganore dhe tatimore, kontribuojnë në pastrimin e parave, pasi në këtë mënyrë, paratë “ju rikthehen” zotëruesve, si të ishin të ardhura nga puna ose aktiviteti i tyre normal. Ato fillimisht futen në biznes, dhe më pas transferohen nëpërmjet kanaleve bankare, si të ardhura nga aktiviteti.

2. Rreziqet dhe rrugët e parandalimit të fenomenit

Rreziqet e pastrimit të parave nëpërmjet aktiviteteve të biznesit rriten krahas me sofistikimin dhe rritjen e rreziqeve e të pasigurisë së bizneseve. Niveli i rreziqeve varet nga forma e organizimit dhe kompleksiteti i biznesit, nga natyra e aktiviteteve tregtare, llojet e mallrave të tregtuara, trajtimet kontabël të transaksioneve komplekse, etj.

Shlyerja e faturave fiktive për shërbime të pakryera dhe furnizime mallrash të parealizuara, “ndihmon” që paratë të transferohen midis entiteteve të lidhura me njëra-tjetrën nga njëra anë, dhe me shoqërinë kryesore të biznesit, nga ana tjetër.

Rreziku në këtë rast rritet, pasi furnizimi i mallrave, bëhet në mënyrë të atillë, që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me veprimtari normale biznesi, pavarësisht se qëllimi real është justifikimi i lëvizjes së parasë nëpërmjet kanaleve bankare nga biznesi te pastruesit, të cilët marrin në këtë mënyrë “para të pastruara”, që mund të investohen më tej.

Në këto kushte, parandalimi dhe lufta nuk janë procese të lehta. Përdorimi i faturave të rregullta nga pikëpamja formale, shlyerja e detyrimeve tatimore kur ato lindin, siç janë tatimet mbi të ardhurat, tatimet mbi pagën, mbi fitimin, TVSH, etj., bëjnë që në dukje veprimtaria e biznesit të paraqitet në “pajtueshmëri” me kërkesat ligjore dhe rregullatore.

Gjithashtu, vështirësitë në zbulimin e veprimtarive të paligjshme rriten po të kemi parasysh klimën e zbatimit të ligjit, institucionet e reja, akoma të pakonsoliduara dhe shpesh, të dobëta. Veç kësaj, një faktor negativ është edhe niveli i lartë i korrupsionit, i cili është kapilar dhe perceptohet si gjerësisht i përhapur. Në një mjedis të tillë, skemat e falsifikimit nëpërmjet veprimtarive të biznesit, janë atraktive për grupet kriminale.

Duke qenë se kanë një rol në vlerësimin e rreziqeve dhe në parandalimin e pastrimit të parave, anëtarët e profesioneve të lira duhet të njohin mirë standardet teknike e profesionale dhe të zbatojnë standardet më të larta të etikës profesionale dhe integritetit, të njohin mirë proceset dhe të zbatojnë masat e duhura të vigjilencës, të cilat janë garancia në parandalimin e rasteve të pastrimit të parave që në momentin më të parë, sado të komplikuara dhe komplekse që mund të jenë mënyrat që përdoren./monitor


Shtuar 30.04.2022 07:01