Administratori i ‘Intermedica’ dhe mjeku Vasil Llajo ka folur rreth virusit të ri misterioz që prek fëmijët dhe ekzaktësisht mëlçinë.
Komentet Llajo i bëri në një intervistë për “News24”, ku ka folur ditën e sotme për rrezikun e hepatitit akut që po prek fëmijët dhe po përhapet me shpejtësi në më shumë se 12 shtete të botës.
Llajo tha se mosha më e goditur nga ky hepatit ishte nga 3-5 vjeç por gjithashtu kishte edhe raste të 16 vjeçarëve të prekur. Mjeku tha se 10% e rasteve të të infektuarve, kishin përfunduar në transplant mëlçie. Ndërsa shtoi më tej se simptomat që fëmijët shfaqin ishin nga të vjellat deri në anoreksi dhe temperaturë.
Llajo: Akoma nuk është e qartë sesi transmetohet ky lloj hepatiti dhe ende nuk dihet agjenti që e ka shkaktuar. Rastet që janë zyrtare edhe nga OBSH, që kanë arritur në 200 persona kanë tërhequr vëmendjen për shkak të gjendjes së rëndë. 10% e këtyre rasteve kanë përfunduar në transplant mëlçie. Mosha më e goditur është nga 3-5 vjeç, por mund të prekë fëmijë të moshave nga 0-16 vjeç. Vajzat janë ato që preken më së shumti.
Pyetje: Si ta kuptojë prindi se fëmija i tij është i prekur me hepatit?
Llajo: Fillon me një sindromë gastro-enterik, me të vjella, me diarre, me debulesë, anoreksi, temperaturë. Por ajo që bie në sy më së shumti është ndryshimi i ngjyrës së urinës e cila bëhet më e errët.