Nuredin Dumani, i akuzuari për disa vrasje që u arrestuar para shumë pak javësh, ka marrë statusin e të penduarit., raporton News 24.
Tashmë, hetimet marrin kthesë të fortë, ai pritet që të tregojë disa nga vrasjet më të bujshme. Gjithashtu statusin e të penduarit e ka marrë dhe Henrik Hoxha, i arrestuar në të njëjtën ditë me Dumanin.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Dumani ka folur me emra konkret për persona që kanë urdhëruar krimet. Një nga ngjarjet që Dumani ka zbërthyer ka të bëjë me masakrën e Bradasheshit, ka folur edhe për ngjarje të tjera kriminale deri tek ngjarja e fundit ku ishte edhe vëllai i Talo Çelës. Ai ka folur edhe për atentatin e vëllezërve Baho, për ngjarje kriminale në ngjarjen e Durrësit.
Bëhet fjalë për dy të penduar dhe SPAK thotë se dëshmitë përputhen dhe tashmë ka gjasa të çohet pas hekurave jo vetëm njerëz të krimit por edhe të pushtetshëm, rrezikojnë të shkojnë pas hekurave shumë persona.
“Mbrojtja e tyre është nën masa shumë të larta. Dumani ishte ndër njerëzit më të shumëkërkuar, në rastin konkret ka dhënë detaje të forta për ngjarjet kriminale në qytete të ndryshme në vend dhe pendesa e tyre mund të hedhë dritë jo vetëm në Elbasan, pro edhe në Durrës , Shkodër, etj”, tha gazetarja Klodiana Lala, duke shtuar: “Bëhet me dije se ai kishte marrë një listë personash për të ekzekutuar, por për shkak se u arrestua nuk arriti të kryente këto ekzekutime”, tha ndër të tjera gazetarja.
Kush është Nuredin Dumani?
Emri i Nuredin Dumanit nuk është i panjohur për policinë, pasi ai është shpallur në kërkim edhe për vrasjen e dy vëllezërve nga Puka, Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 prill të 2020 si dhe dy personave të tjerë në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.
Dumani konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërkohë që është ekzekutori i parë, nga tre personat e përfshirë në atenatin ndaj Bujar Çelës në afërsi Bradadeshit të Elbasanit.
Ne 2020 ai u shpall ne kërkim nga prokuroria e Elbasanit, dhe Durrësit pasi akuzua se ishte i implikuar në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020, dhe në vrasjen e Bujar Çelës në Elbasan.
Për këtë ngjarje në kërkim ka qene dhe Talo Çela, vëllai i Bujar Çelës, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla. Ky i fundit në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës. Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.
Konflikti mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës
Prishja e miqësisë së Dumanit dhe Talo Çela, dyshohet se ka qenë shkaku që ky i fundit dyshohet se ka urdhëruar ekzekutimin e Klevis Kapllanit, shokut të ngushtë të Nuredin Dumanit, ngjarje që ndodhi më 15 Shtator të vitit 2020. Për hakmarrje Dumani dyshohet se organizoi dhe bëri vrasjen e vëllait të Talos, Bujar Çelës, vetëm 2 ditë më pas në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, mëngjesin e 17 Shtatorit po të vitti 2020.
Të paktën 20 plumba janë shtënë ndaj 50 vjeçarit, nga të cilët 4 prej tyre i ka marrë në trup duke e lënë të vdekur në vend. Ekzekutimi është kryer rreth orës 05:45 gjatë kohës që viktima po konsumohet kafen në lokalin që e frekuentonte çdo ditë, ku dhe qëndronte me automjetin me të cilin punonte si taksist pa licencë.
Autorët, të cilët sipas hetuesve dyshohet të kenë qenë 3 persona, kanë ndjekur itinerarin nga rrethrrotullimi i Bradasheshit për tek lokali ku dy prej tyre kanë zbritur sapo kanë parë shënjestrën.
Ngjarja u fiksua nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë zbuluar edhe Nuredin Dumanin si pjesëmarrës në vrasje.
Nuredin Dumani dhe Talo Çela ishin së bashku të shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Durrësit, si të përfshirë në vrasjen e drejtpërdrejt në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 Prill 2020, si dhe dy personave të tjerë në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 Mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.