Bisedë telefonike Osmani – Escobar, ja çfarë porosie përcjell zyrtari i lartë amerikan

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Gabriel Escobar, zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të bisedës ishin temat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si dhe nevojën për tejkalimin sa më të shpejtë të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, duke i hapur rrugë negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

“Në kontekstin e sfidave aktuale të sigurisë, procesi i zgjerimit të BE-së është politikë e sigurisë dhe për këtë arsye arritja e përparimit në proceset integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut është investimi më i sigurt për stabilitetin në vend dhe rajon”, theksoi Osmani, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për qëllimet strategjike të vendit, si dhe për kontributin e përgjithshëm në stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Ballkanit Perëndimor, përcjell INA.

Gjatë bisedës, siç thuhet ministri Osmani theksoi nevojën e një pranie të përforcuar amerikane në rajonin tonë si garanci e fortë për sigurinë rajonale dhe evropiane.

“Bashkëbiseduesit i mirëpritën marrëdhëniet bilaterale dhe partneritetin tradicional ndërmjet Maqedonisë dhe SHBA-së dhe biseduan për mundësitë për thellimin e mëtutjeshëm të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, thuhet në MPJ. (INA)


Shtuar 20.04.2022 18:16