Një ushtarak i lartë ukrainas dhe gazeta ukrainase Defense Express pretendon se në bordin e anijes luftarake ruse “Moskav” e cila u fundos ditën e djeshme në Detin e Zi mund të ketë pasur municion bërthamor.
Ushtari ukrainas ka thënë se në bordin e anijes ushtarake mund të ketë armë bërthamore.
Për këtë arsye ai u bëri thirrje vendeve rreth Detit të Zi, siç është Turqia, Rumania, Gjeorgjia dhe Bullgaria t’i kërkojnë përgjigje Rusisë, se ku janë tani armët bërthamore ose ku ishin kur ndodhi shpërthimi i anijes?
Sipas medias ukrainase, ekspertët thonë se ekziston një mundësi reale që anija e fundosur e flotës ruse në Detin e Zi të ketë pasur municione bërthamore në bord”. Media ukrainase shkruan se tashmë ekziston frika se gjatë fundosjes mund të kenë përfunduar në fund të detit edhe dy raketa bërthamore, shkruan Daily Mail.
Spekulimet për një katastrofë bërthamore u rritën pas faktit që qindra persona, pjesë e ekuipazhit prej 510 personash të Moskva-s, janë zhdukur që kur anija u godit.
Deri më tani, vetëm rreth 50 persona janë evakuuar nga një anije turke dhe 14 të tjerë thuhet se fluturuan në portin e Sevastopolit. Kjo krijon një paqartësi mbi fatet e pothuajse 450 pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit.
Rusia pretendon se ka evakuuar të gjithë ekuipazhin, por video e marrë në Sevastopol gjatë natës tregon dhjetëra makina që supozohet se u përkisnin marinarëve të parkuara ende në port, duke sugjeruar që pronarët e tyre nuk ishin kthyer për t’i marrë ato. Shpërthimet në anije me përmasa të ngjashme shpesh shkaktojnë qindra vdekje.
Burimet ushtarake ruse thanë se anija ishte rrotulluar në anën e saj dhe kishte marrë flakë pas shpërthimit, ndërsa burimet e inteligjencës amerikane thanë se anija pësoi një shpërthim ‘të madh’ që e la atë të dëmtuar rëndë përpara se të fundosej./albeu.com