SHIFRA/ Mbi 50 000 familje do ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike

Qeveria ka njoftuar një rishikim të faturave të energjisë elektrike për ata abonentë familjarë që vlerësohet se harxhojnë shumë. Fillimisht kryeministri Rama dhe më pas ministrja Balluku njoftuan mbi një studim që është duke u bërë në këtë drejtim për të identifikuar ato familje që e kalojnë këtë fashë.

Referuar të dhënave nga raportet vjetore të ERE-s duket se janë mbi 50 mijë abonentë familjarë që e kalojnë këtë fashë, të cilët pritet ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike. Në total, OSHEE ka rreth 1.2 milion abonentë familjarë, nga të cilët rreth 50 mijë vlerësohet sipas raporteve publike se harxhojnë më shumë se 700 kW/h në muaj.

Përllogaritet që kjo kategori të përbëjë 6% të numrit total të abonentëve, raporton abcnews.al.

Aktualisht, pas heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kW/h disa vite më parë, çdo abonent familjar e paguan një kW/h energji elektrike me 9.5 lekë pa TVSH, ndërsa nuk dihet ende se sa do të jetë çmimi mbi fashën 700 kW/h.

Referuar asaj që thotë kryeministri, i cili tha se “qeveria nuk mundet që të mbrojë nga çmimet e tregut këta abonentë krahasuar me mbrojtjen që u ofrohet familjeve të mësuesve, infermierëve, etj”, gjasat janë që më shumë se 50 000 abonentë ta paguajnë energjinë e harxhuar mbi 700 kW/h me çmimin e tregut rajonal, i cili aktualisht është tepër i lartë duke gjeneruar kështu fatura dy apo trefish më të larta se këto aktualet për ta.