Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar si konfirmim të akuzave të PD-së korrupsionin në policinë kufitare të Morinës, ku u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhjetëra policë.
Sipas Alibeajt zbulimi i autoriteteve të Kosovës që solli operacionin e SPAK, për rrjetin e kontrabandës është prova e shpërhapjes së korrupsionit në çdo qelizë të qeverisë së Edi Ramës.
Kreu i grupit të PD, thekson se kjo qeveri e ka kthyer policinë në shërbëtore të krimit, ndërsa shton se PD e ka denoncuar me zë dhe figurë këtë fenomen.
Reagimi i plotë:
Zbulimi nga autoritetet e Kosovës të rrjetit të korrupsionit dhe të kontrabandës në policinë shqiptare, është prova e shpërhapjes së korrupsionit në çdo qelizë të qeverisë së Edi Ramës.
Është konfirmim i akuzave të Partisë Demokratike që ka ngritur zërin për korrupsionin e çdo segmenti të policisë së “rilindur” me militantë e patronazhistë të cilët e kanë kthyer këtë strukturë të shtetit në një sistem korrupsioni e kontrabande.
Kjo qeveri e ka kthyer fatkeqësisht policinë në një shërbëtore të krimit dhe korrupsionit, duke e përdorur ashtu siç e përdori për 8 vite me rradhë si argate në plantacionet e hashashit, ku punonjësit e policisë me uniformë shërbenin si roje, ngarkues e garantues të drogës së bandave kriminale.
Partia Demokratike e ka denoncuar me zë e figurë shndërrimin e policisë së shtetit në një shtojcë të korrupsionit shtetëror dhe shërbyese të krimit dhe do të vazhdojë ta denoncojë këtë skemë kriminale.
Policia e shtetit nuk është më shërbyese e qytetarit dhe garantuese e rendit e sigurisë, por thjesht një armë e qeverisë së korruptuar që tashmë është vendosur tërësisht në shërbim të korrupsionit qeveritar që ka kapur çdo pushtet e po varfëron gjithnjë e më shumë çdo shqiptar e Shqipërinë.