Presidenti i El Salvadorit ka kërcënuar se do të hakmerret ndaj 16 mijë të burgosurve pjesë e bandave të krimit, nëse nuk do të ndalet dhuna dhe vrasjet në këtë shtet.
Nayib Bukele iu drejtua të hënën me një ultimatum bandave famëkeqe, MS-13 dhe Barrio 18, pasi 87 persona u raportuan të vrarë vetëm që nga e premtja.
Dhuna është rritur ndjeshëm në shtetin e Amerikës Qendrore duke bërë që autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme të dielën, duke i dhënë më shumë fuqi policisë, e cila ka ngritur pika kontrolli në të gjithë vendin.
“Ndaloni vrasjet tani ose të burgosurit do të paguajnë për këtë”, shkroi Bukele në Twitter, duke shpërndarë edhe pamjet nga një aksion brenda në burg, ku oficerët shihen teksa tërheqin zvarrë të burgosurit në qelitë e tyre.