Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoje të publikuar në llogarinë zyrtare në ‘Facebook’, thotë se pas 23 vitesh që NATO hyri në Kosovë për ta ndaluar luftën e Serbisë, është e domosdoshme që Kosova të anëtarësohet në aleancën veri-atlantike.
Përmes kësaj videoje, VV-ja ka rikujtuar kohën kur krimineli serb, Sllobodan Millosheviqi, kryente spastrim etnik dhe gjenocid ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë, veprime këto që çuan në intervenimin e NATO-s.
“Ne festojmë këtë ditë sepse NATO i dha goditjen e fundit një Jugosllavie që në emër të socializmit shtypte dhe shfrytëzonte popujt e tjerë brenda saj. E festojmë sepse një kriminel sikur Millosheviqi që kreu spastrim etnik e gjenocid ndaj civilëve të pafajshëm, më pas u arrestua dhe u burgos për krime kundër njerëzimit”.
“23 vjet më vonë, zhvillimi ynë, shteti dhe shoqëria jonë, mbrojnë rrëfimin e intervenimit të NATO-s. 23 vjet më vonë, Kosova po përgatitet si asnjëherë më parë për anëtarësimin e saj në NATO”, thuhet në narracionin e videos së publikuar të partisë në pushtet.
Më tutje thuhet se pikërisht është NATO-ja ajo që është ruajtësja e botës demokratike dhe të lirë kundër autokratëve dhe despotëve që kanë mësyrë grabitçarisht ndaj popujve më të vegjël.
“Ukraina sot e ka Rusinë në territorin e saj, kurse ne e kemi Serbinë në territorin e Rusisë. Serbia jo që nuk iu bashkua sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë, por ajo ende nuk ka hequr dorë as nga Sllobodan Millosheviqi”, thuhet më tej.
E për t’u mbrojtur nga kjo mendësi e rrezikshme, VV-ja thotë se “është e domosdoshme të anëtarësohemi në NATO”.