Keqtrajtoi barbarisht një mace, policia identifikon, 58-vjeçari i dënuar më parë për vrasje (VIDEO)

Policia ka reaguar pas një videoje që ka qarkulluar në rrjete sociale, ku 58-vjeçari Vlash Marku keqtrajton një mace, duke i dëmtuar kokën me këmbë dhe më pas e fut në një qese plehrash.

Policia njofton se autori është shpallur në kërkim dhe bën me dije se ai është dënuar dhe më parë për vrasje.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të postuar në portale, për keqtrajtimin e një kafshe, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.

Falë bashkëpunimit me qytetarët, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”, të shtetasit:

– V. M., 58 vjeç, banues në fshatin Prush, i dënuar më parë për vrasje.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm


Shtuar 25.03.2022 15:26