Andi Bushati e thotë troç: Basha është lolo ambasadash, s’ka shanse të rikthehet se e katandisi PD forcë të tretë

Lulzim Basha dha dorëheqjen pasi shumica e grupit parlamentar i dolën kundër, por që prej momentit kur artikuloi largimin nga drejtimi i PD-së, kanë lindur dyshime të shumta se dorëheqja e tij është një lojë dhe se duke përdorur besnikët e tij brenda partisë, ai po përgatit rikthimin pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Analisti Andi Bushati, ishte i ftuar në Euroneës Albania, ku u pyet nëse dorëheqja e Bashës është një lojë.

Sipas Bushatit, nuk bëhet fjalë për një lojë sepse kjo do të ishte absurde dhe në çdo rast do të ishte një lojë e humbur për Bashën.

“Më duket e çuditshme dhe e pamundur. Të japësh dorëheqjen për t’u rikthyer në të njëjtën formë është absurde. Ai e dha dorëheqjen sepse e katandisi PD-në nën 10% dhe e ktheu forcë të tretë. A mundet me të njejtën filozofi të arrihen rezultate ndryshe? As më budallenjtë nuk e besojnë këtë. Nëse do të rikthehej, do të duheh të dorëhiqej sërish.

Basha ka treguar se nuk ka qenë i aftë ta frymëzojë, motivojë dhe luftarakëzojë opozitën. Shqipëria ka nevojë për opozita luftarake. Është absurd të mendosh, ato zërat që thonë se kjo e Bashës është një lojë dhe se Basha po përdor veglat e tij për të kontrolluar partinë si i dorëhequr.

Por çfarë po ndodh?

Një pjesë e njerëzve që i kanë ngelur besnikë Bashës, mendojnë se mundet të drejtojnë PD-në, me të njejtat mënyra si e drejtoi Basha. Duke u sjellë si lolo ambasadash, duke mbajtur atë non-grata edhe duke mbajtur PD-në të përçarë.

Fakti që këta njerëz po sillen si Luli, me Lulin të ikur, i bën njerëzit të ngrenë dyshime mos është lojë e Bashës. Jo në fakt nuk është lojë e Bashës, sepse edhe nëse i hyn kësaj loje, e ka lojë të humbur”, tha Bushati.


Shtuar 24.03.2022 09:13