Pezullohen lidhjet hekurudhore mes Ukrainës dhe Bjellorusisë

Nuk ka më lidhje hekurudhore midis Ukrainës dhe Bjellorusisë, sipas Oleksandr Kamyshin, kryetar i rrjetit hekurudhor të Ukrainës.

Kamyshin e bëri njoftimin pasi me sa duket kishte dështuar në apelin e tij drejtuar punonjësve të hekurudhave bjelloruse që të mos transportonin trenat ushtarakë rusë drejt Ukrainës.

Zhvillimet e fundit nga lufta:

Gjendja e sulmeve në qytetet kryesore

Përpjekjet e shpëtimit po zhvillohen në qytetin jugor të Mykolaiv që në mëngjes, në skenën e një sulmi me raketa në kazermat ku strehohen ushtarë, tha zyrtari rajonal Vitalli Kim. Dhjetra trupa raportohet se janë vrarë në sulmin nga forcat ruse, sipas gazetarëve të degës suedeze të CNN Expressen, të cilët ishin në vendngjarje.

Qyteti i rrethuar i Mariupolit është nën bombardime pothuajse të vazhdueshme, sipas një majori në ushtrinë ukrainase. Banorët po racionojnë ushqimin dhe ujin, ndërsa trupat mbeten në rrugë. Ka gjithashtu raporte kontradiktore mbi statusin e një prej objekteve kryesore industriale të Ukrainës, fabrikës së çelikut Azov, në Mariupol.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Rusia vazhdon të përparojë  në jug të Ukrainës dhe ka përdorur “teknika brutale dhe të egra” në mënyrën se si ka shënjestruar civilët.

Një numër marramendës refugjatësh

Përafërsisht 1.5 milionë fëmijë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus dhe janë në rrezik të trafikimit, sipas UNICEF-it, ndërsa “të tjerë të panumërt” janë zhvendosur brenda vendit.

Kryetari i qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv, tha për CNN se rreth 200,000 refugjatë nga i gjithë vendi ndodhen në qytetin e tij tani.

SHBA thotë se Rusia ka përdorur raketa hipersonike

Zyrtarët amerikanë konfirmuan për CNN se Rusia lëshoi raketa hipersonike kundër Ukrainës javën e kaluar, përdorimi i parë i njohur i raketave të tilla në luftime.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të shtunën se raketa e fuqishme hipersonike “Kinzhal” shkatërroi një depo municionesh ushtarake në Ukrainën perëndimore të premten.

Vdekjet në rritje

Të paktën 847 civilë,  përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, sipas përditësimit të fundit nga Kombet e Bashkuara, por numri aktual besohet të jetë shumë më të larta.

Biden në Evropë javën e ardhshme

Presidenti amerikan Joe Biden do të shkojë në një samit të NATO-s në Bruksel më 24 mars dhe gjithashtu do t’i bashkohet një takimi të Këshillit Evropian, sipas Shtëpisë së Bardhë. Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko i bëri thirrje sot Bidenit të vizitojë Ukrainën gjatë kohës që është në Evropë./albeu.com


Shtuar 19.03.2022 21:59