Meta përshëndet vendimin: TAP është projekti strategjik më i madh në Europë, shkëput Europën nga varësia e gazit rus

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka përshëndetur vendimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.

Sipas Metës, TAP është investimi strategjik i huaj më i rëndësishmi në Shqipëri.

Kreu i Shtetit shtoi se ky projekt rrit pavarësinë e Europës nga gazi rus.

Reagimi:

Përshëndes fillimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.

TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me Qeverinë e Azerbajxhanit.

Përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rriti ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus.

Projekti TAP e përfshiu Shqipërinë në hartën e infrastrukturës energjetike strategjike europiane, veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë sfiduese ndaj arkitekturës së sigurisë europiane dhe euroatlantike!


Shtuar 17.03.2022 17:07