Bie sërish çmimi i naftës, gazi qëndron në vend

Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot është mbledhur serish Bordi i Administrimit të Karburanteve dhe përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se kanë vendosur që çmimi i naftës nga 211 lekë për litër që u vendos një ditë më parë, të zbresë në 203 lekë për litër.

Ky çmim do të jetë nga sot deri më 21 mars, dhe në varësi të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare do të reflektohet dhe çmimi në karburantet në vendin tonë.

Kujtojmë se çmimet u rriten në mënyrë drastike një javë më parë, ku në disa pika karburanti një litër naftë kapi vlerën deri në 290 lekë/litër. Kjo bëri që qytetarët të ngriheshin në protesta, dhe çmimi ra. Megjithatë, Rama thotë se çmimet janë ulur pasi është ulur dhe çmimi i saj në bursë.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 16.3.2022

Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë,  sot në datë 16 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës,  bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, ky Bord vendosi:

1. Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë  për periudhën 16 Mars-21 Mars 2022, të jetë 193 lekë/litër

2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të  jetë 203 lekë/litri.

3. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 206 lekë/litri.

4. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të jetë I pandryshueshëm 93  lekë/litri.

Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ./albeu.com