CIA: Vladimir Putin nuk ka rrugëdalje nga kjo luftë, po fiton kohë me negociata false

Drejtori i CIA-s, William Burns dhe shërbimet e tjera të larta sekrete mbajtën një seancë dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencën. Burns tha se Putin-i nuk ka asnjë rrugëdalje të mundshme nga lufta. Ai po përpiqet të fitojë kohë me këto negociata false. Sipas ABCnews, mbledhja u zhvillua në formë pyetje përgjigjë nga të gjithë shërbimet e inteligjencës.

Sipas drejtorit të CIA-s, presidenti rus e ka mbyllur vendin e tij “në një flluskë propagande”.

“Nuk mendoj se do të mund t’i shkëputë qytetarët nga e vërteta pafundësisht. Tashmë shohim se po filtrojnë informacione për ushtarët e vdekur dhe të plagosur që po kthehen në Rusi. Dhe njerëzit kanë filluar të kuptojnë pasojat e rënda ekonomike të sanksioneve”-tha Burns.

Senatorja republikane, Susan Collins pyeti më pas nëse rusët synojnë të përdorin armë kimike apo biologjike në Ukrainë. Burns nuk dha ndonjë të dhënë konkrete nga fushë beteja por përmendi se Rusia ka përdorur tashmë armë kimike kundër qytetarëve të tyre.

“Ky eventualitet është pjesë e mënyrës së veprimit të rusëve. Ata tashmë kanë përdorur armë kimike kundër qytetarëve të tyre. Dhe ata kanë inkurajuar përdorimin e tij në Siri dhe gjetkë. Ne po e marrim këtë rrezik shumë seriozisht”-tha ai.

Avril Haines, drejtor i Inteligjencës Kombëtare, shtoi: “Ne nuk kemi arsye të besojmë se Ukraina po përgatit armë kimike, biologjike ose bërthamore”.


Shtuar 11.03.2022 12:15