Kryemadhi: Anuloni koncesionin e inceneratorit të Tiranës dhe subvenciononi familjet me ato para

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar sërish për rritjen e çmimit të naftës në vend. Ajo propozon që të anulohet koncesioni i inceneratorit të Tiranës dhe me ato para të subvencionohen familjet.

Më tej Kyemadhi shkruan se sot, kryeministri e qeveria është nisur drejt Dubait me Charter, pronarët e inceneratorëve mund të jenë duke bërë plazh në Maldive, ndërsa shqiptarët e vjedhur prej tyre, në orën 17:00 do të jenë në protestë para kryeministrisë. Më tej shton se ajo është me qytetarët.

Postimi i Kryemadhit:

Anuloni koncesionin e inceneratorit të Tiranës dhe subvenciononi me ato para familjet, fermerët, bizneset shqiptare, për të përballuar shtrenjtimin e naftës, energjisë dhe çmimeve!

Është fakt se ky koncesion 30 vjeçar është mundësuar nga Erion Veliaj, i cili ka shpërdoruar detyrën duke e aprovuar atë pa vendim këshilli bashkiak, siç e parashikon ligji.

Ky koncesion 30 vjeçar i lidhur për të vjedhur qytetarët, i ka mundësuar ITS së Klodian Zotos të realizojë deri më sot një evazion fiskal 25 milionë dollarë.

Ky koncesion i mundësuar nga Erion Veliaj, i ka çuar paratë e qytetarëve për kompani fantazëm, për shpenzime absurde si konsulenca të vetvetes dhe udhëtime luksoze në mesin e pandemisë.

Këto janë para të shqiptarëve!

Sot, kryeministri e qeveria është nisur drejt Dubait me Charter, pronarët e inceneratorëve mund të jenë duke bërë plazh në Maldive, ndërsa shqiptarët e vjedhur prej tyre, në orën 17:00 do të jenë në protestë para kryeministrisë!

Unë zgjedh të jem me qytetarët dhe është koha që të gjithë të jemi me Shqipërinë.

Kjo pritet edhe nga SPAK, i cili urohet të veprojë sa më shpejt, ndryshe nga rasti i Elbasanit, e të mos presë 30 vjet, derisa kompania ti ketë marrë të gjitha pagesat./albeu.com


Shtuar 9.03.2022 16:19