Qumështi italian dhe serb “mbyt” Shqipërinë, prodhuesit e bulmetit në kaos

Kompanitë e përpunimit të qumështit kërkojnë kthimin e TVSH-së së rimbursueshme, pasi vendosja e taksave ka rritur kostot e prodhimit dhe falimentimin e fermave të vogla. Përpunuesit pohojnë se rënia e prodhimit vendas po favorizon shitjet e produkteve të importit

Dorina Azo

Xhevahir Alushi këtë vit zotëron 8 krerë lopë në fermën e tij në Zall Herr nga 10 krerë vitin e kaluar. Fermer i qumështit prej 22 vjetësh, Xhevair Alushi pohon se për 2022 gjendet në vështirësinë më të madhe financiare për rritjen e lopëve, nga shtrenjtimi i lartë i çmimeve për ushqimin e kafshëve, pavarësisht se prej dy vitesh, po e tregton qumështin 25% më shtrenjtë.

“Këtë vit kam qenë i detyruar të ul krerët e lopëve, pasi kostoja e bazës ushqimore është shtrenjtuar. Çmimi i topave të barit, nga 400 lekë është 800 deri në 900 lekë. Çmimi i himeve është rritur nga 500 lekë/25 kg në 800 lekë/25 kg. Çmimi i plehut nga 4,000 lekë/kv, është 11,000 lekë/kv. Për këto arsye, është e pamundur të mbahen kafshët në fermë.

Deri tani më ka ndihmuar kultivimi i asaj pak tokë që zotëroj, por nëse do të vijojë rritja e çmimeve e shoh të pamundur të mbaj 8 krerë lopë. Janë më shumë se dhjetëra fermerë të vegjël në fshatin tonë që nuk mbajnë më bagëti, pasi me rritjen e kostove nuk është e leverdishme. Fermerët të cilët kanë braktisur tokën dhe nuk po mbajnë më bagëti, për të mbajtur familjen po punojnë në fabrikat e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve”.

Sasia e qumështit të grumbulluar nga fermerët në vitin 2020 ishte 14,8% më pak se në 2019-n, sipas të dhënave të INSTAT. Sipas Saimir Begaj, nga kompania “Erzeni”, braktisja e fermave për shkak të shtrenjtimit të kostove për mbajtjen e lopëve e bagëtive, si dhe mungesa e subvencioneve për fermerin në blegtori janë arsyet kryesore që po ndikojnë te rënia e prodhimit të qumështit.

“Aktualisht kemi nevojë për 20,000 litra shtesë qumësht. Nuk gjejmë dot as në rajon, as në shtete të tjera. Ne nuk kemi nevojë të importojmë, pasi fabrika është ngritur për të prodhuar produkte bulmeti me qumësht nga fermerët vendas. Kompanitë shqiptare e kanë të pamundur të furnizohen me kontrata qumështi nga importi, pasi prioritet është të punojnë me prodhimin vendas. Në vend ka mungesë të qumështit, pasi fermeri nuk mbështetet me subvencione.

Fermerit i janë rritur shumë çmimet e plehrave kimike dhe ushqimit të kafshëve. Shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para ka shtuar koston e prodhimit, gjë që e ka bërë të paleverdishme punimin e tokës. Shumë fermerë të vegjël që rrisin 1 apo 2 lopë po largohen në emigracion. Fermat e mëdha janë rritur, por numri i tyre është shumë më i vogël krahasuar me fermerët e vegjël dhe nuk arrijnë të ekuilibrojnë sasinë e qumështit të prodhuar në treg”.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, pohon se braktisja e blegtorisë po vjen nga subvencionet e ulëta. “Fragmentimi dhe struktura e fermave në Shqipëri ndikon dukshëm në sektorin e qumështit, ku rendimenti mesatar vjetor i qumështit të lopës, është rreth 2,9 tonë qumësht për lopë në vit, vlerë mjaft e ulët krahasuar me vendet e BE-së.

Si pasojë e rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe ushqimeve për kafshët, fermat blegtorale po shkojnë drejt mbylljes. Mbështetja me subvencione e blegtorisë nëpërmjet skemës kombëtare është shumë e ulët dhe nuk përafrohet me masat mbështetëse që ofron rajoni. Kostot për fermerin po bëhen të papërballueshme, duke e çuar fermerin drejt shitjes së krerëve dhe drejt mbylljes së aktivitetit.

Cilësia e qumështit të prodhuar po kalon gjithnjë e më shumë në fokus dytësor, sepse primar është arritja e mbulimit të kostove dhe garantimi i mbijetesës së fermerit”, thotë z. Jaka.

Qumështi italian dhe serb “mbyt” Shqipërinë

Për vitin 2021, importet e qumështit janë 8% më të larta se periudha para krizës nga Covid-19. Në raport me 2020-n, vitin kur vendi hyri në karantinë për tre muaj, sipas të dhënave të doganave, importet janë shtuar 30%.

Për muajin janar 2022, importet e qumështit shënuan rënie të lehtë me 3% krahasuar me janarin e 2021. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020-n.

Reduktimi i sasisë së qumështit që prodhon fermeri për shkak të rritjes së kostos së mbajtjes të kafshëve dhe politikat e reja fiskale, si heqja e skemës së TVSH-së së rimbursueshme, vendosja e TVSH-së 10% tek imputet bujqësore nga 1 janari 2022 po penalizojnë fabrikat e përpunimit të qumështit.

Për të përballuar kërkesën me mallra bulmeti, përpunuesit pohojnë se po importojnë qumësht nga jashtë. Trendi rritës i importeve nisi që në 2019, kur u zbatua skema e ndryshuar e rimbursimit të TVSH-së, nga shkalla 20% zbriti në 6%.

“Një masë e tillë sjell ndikim negativ edhe te përpunuesit e qumështit, pasi që prej fillimit të këtij viti, po bie interesi i fermerëve. Efektet negative që po krijohen në rritjen e kostove të prodhimit të qumështit, të lëndëve të para ndikojnë në shtimin e produkteve të importuara, që konkurrojnë produktin vendas”, nënvizon z. Jaka.

Sipas tij, prodhimi vendas nuk garanton dot sasi dhe cilësi sipas standardit europian, duke e vënë në vështirësi reale dhe e çojnë drejt falimentimit industrinë ekzistuese dhe vlerat e investimit që janë shpenzuar për ngritjen e tyre.

Për kompanitë përpunuese, ndryshimet fiskale kanë krijuar pasiguri në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, duke favorizuar importin e produkteve të rajonit. “Sot, qumështi të vjen me një çmim të caktuar, të nesërmen vjen me çmim të rritur. Çmimi i qumështit që grumbullohet te fermerët për këtë vit është rritur 10% më shumë se vjet.

Pavarësisht kësaj, sërish nga fermerët ka presion të përditshëm për shtrenjtim të çmimit të qumështit, pasi janë rritur kostot e prodhimit. Por në këtë situatë, kur TVSH-ja për grumbulluesit nuk kreditohet më 6%, jemi të shtrënguar të blejmë nga fermeri qumësht më të shtrenjtë, pasi çmimi i qumështit për konsumatorin do të arrinte 200 lekë/1.4 litër. Me këtë çmim, sigurisht që shitjet do të bien, pasi qumështi i Maqedonisë së Veriut tregtohet 150 lekë/litër”, pohon përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Saimir Begaj.

 

Heqja e skemës së TVSH-së rriti kostot e prodhimit

Problematikave të pazgjidhura ndër vite në blegtori, i është shtuar këtë vit edhe rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së së rimbursueshme. Përpunuesit pohojnë se gjenden më në vështirësi se në 2019-n, kur TVSH-ja u ul nga 20% në 6%. Me ndryshimet fiskale të vitit të kaluar, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.

Sipas përfaqësuesit të kompanisë “Erzeni”, Saimir Begaj, përkeqësimi nga viti në vit i politikave fiskale ka krijuar situatë kaotike në sektorin e përpunimit të qumështit. “Llogaritjet për efektet e heqjes së skemës janë shumë të thjeshta, bazuar te cikli i qarkullimit të TVSH-së te bizneset.

Në vetvete, fermeri që furnizohet me mallra (ushqimin e kafshëve) me TVSH është pagues direkt i saj. Në anën tjetër, produkteve të përpunuara nga qumështi në shitje u shtohet vlera e TVSH-së. TVSH-ja e transferuar nga fermeri dhe ajo në shitje e rrisin këtë taksë automatikisht 40%.

Si mundet të transferohet deri në fund vlera e TVSH-së kur kjo taksë nuk kreditohet? Në blerje, përpunuesit e kanë zero TVSH-në, por nga ana tjetër në fund të shitjes së produktit të përpunuar për shtetin mblidhet edhe TVSH-ja e fermerit. TVSH-ja si taksë nuk ka të bëjë me të ardhurat dhe shpenzimet, por me rritjen e vlerës së shpenzuar për prodhimin”.

Skema e TVSH-së së rimbursueshme ndryshoi edhe në 2019-n, kur nga 20% u ul në 6%. Begaj nënvizon se edhe në muajt e parë të asaj periudhe u përballën me mungesë të qumështit. “Mungesa e furnizimit me qumësht sjell efekte direkte negative te prodhuesit. Nëse nuk arrijmë të furnizohemi me qumësht nga fermerët, fabrikat nuk arrijnë të mbijetojmë”.

Për kryetarin e Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka, skemat e reja të TVSH-së e kanë vënë në vështirësi të mëdha industrinë. Ndreka parashikon përkeqësim të situatës. “Ne kemi bërë edhe disa intervista më herët me “Monitor”, ku kemi paralajmëruar për efektet e skemës së TVSH-së. Sot jemi në pikën kur paralajmërojmë pasoja edhe më të rënda.

Shpresojmë që ata që kanë ndërtuar këto politika t’i rishikojnë dhe të shohin një problem shumë serioz, pasi është një industri e tërë që punëson me mijëra njerëz dhe është në vështirësinë më të madhe që ka hasur ndonjëherë”. Në anën tjetër sipas Kryetarit të DHTIT, Nikolin Jaka, shumë fabrika të përpunimit të qumështit po vihen në vështirësi, pasi ky ndryshim drastik i TVSH-së ka rritur informalitetin.

Rritja e importeve, edhe nga shtimi i kërkesës

Vjet, shtimi i kërkesës për produkte të bulmetit nga moskufizimi i lëvizjes së turistëve të huaj ka detyruar kompanitë të importojnë qumësht nga jashtë. Luis Ndreka, nga kompania “Lufra”, pohon se gjatë sezonit të verës është i domosdoshëm importi i qumështit për të plotësuar kërkesën në rritje për bulmet.

“Qumështi po përballet me vështirësi. E gjithë bota është në një situatë të mungesës së furnizimit me qumësht. Europa ka një mungesë të tillë kryesisht për shkak të motit dhe një viti të keq që pati bujqësia. Kjo rriti shumë kostot dhe i vuri fermerët në vështirësi. Për shkak të rritjes së kostove në 2020 dhe mungesës së kërkesës, shumë fermerë u demotivuan dhe u desh t’i thernin lopët apo kafshët e tyre dhe ta ulnin sasinë e qumështit të prodhuar.

Në vitin 2021 pati një shpërthim të madh të kërkesës jo vetëm gjatë sezonit të verës. Kjo solli përplasje mes një kërkese shumë të lartë dhe furnizimi shumë të ulët, e cila sigurisht rriti edhe çmimet. Jo vetëm ne, por çdo kompani në botë bën edhe tregtinë ndërkombëtare sezonale të qumështit të fermës.

Të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne si industri, po importojmë në momente sezonale sidomos në verë, natyrisht pasi është mbledhur çdo pikë qumështi në Shqipëri. Pasi fabrikat tona janë krijuar për të mbështetur prodhimin në vend dhe jo për import. Asnjë nga prodhuesit shqiptarë nuk e ka krijuar fabrikën, duke menduar se do ta importojë qumështin.

Por në momentet kur nuk gjendet qumësht, atëherë importojmë, sepse ka ferma në mbarë botën dhe tregu kërkon produkte bulmeti. Nëse gjatë verës kërkohen 20 litra produkt dhe fermat shqiptare prodhojnë 10 litra, ne nuk kemi ku ta gjejmë qumështin, patjetër që do të importojmë nga jashtë për të plotësuar kërkesat e tregut.

Nuk kemi arsye pse ta lëmë qumështin të vijë i paketuar nga Italia, Serbia, Gjermania apo vende të tjera të Europës në Shqipëri, dhe të mos vëmë në punë industrinë ku kemi mjaft të punësuar”.

Edhe Saimir Begaj, i kompanisë “Erzeni”, thotë se importi i qumështit është sezonal për të plotësuar kërkesën e shtuar nga hapja e ekonomisë. “Kompanitë nuk po lënë qumështin e fermerëve për të blerë nga importi. Ne kemi investuar ndër vite te fermerët për sigurimin e qumështit prej tyre, për të rritur kapacitetin grumbullues.

Po furnizohemi nga fermerët me qumësht 50 cent për litër, kur aktualisht në Itali, çmimi i qumështit nga fermat është 30 deri në 40 cent për litër. Jemi në presion të përditshëm nga fermerët për rritje të çmimit të qumështit. Faji nuk është te përpunuesit e qumështit. Shteti pasi hoqi TVSH-në e kreditueshme 6% duhet të jepte subvencione direkte për fermerët. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme e industrisë. Ne kemi kërkuar pagesa direkte për fermerin 10 lekë/litër.

Nëse nuk është mundësia për zbatimin e kësaj skeme, pavarësisht numrit të bagëtive që zotëron fermeri, 6% të TVSH-së të rimbursueshme që u hoq nga 1 janari 2022”.

 Përpunuesit në vështirësi edhe nga rritja e çmimit të energjisë

Fabrikat e përpunimit të qumështit kanë pasur rritje të lartë të kostove për prodhimin e bulmetit edhe për shkak të rritjes së çmimit të energjisë.

Saimir Begaj thotë se aktualisht po e blen energjinë me çmim 3,5 herë më të lartë. “Nga 9 lekë/kW që furnizoheshim në treg të lirë një vit më parë aktualisht çmimi i energjisë është 33 lekë/kW. Në kemi dalë në treg të lirë për furnizimin energjisë në linjën 35 kv në 2018. Edhe gazin dhe naftën po e blejmë më shtrenjtë.

Në këtë situatë e kemi të pamundur të përballojmë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Këtë vit parashikojmë të kryejmë investime për sigurimin e energjisë nëpërmjet paneleve diellore, duke shtyrë për vitin tjetër investimet për rritjen e standardeve të produkteve”. Në mbrojte të bizneseve nga rritja e çmimeve të energjisë, ERE miratoi çmime preferenciale për 7,740 biznese të lidhur me tensionin e mesëm 20,10 dhe 6 kv që dalin për herë të para në tregun e lirë nga 1 janari 2022.

Këto biznese do të mbrohen deri në qershor nga rritja e çmimeve, pas këtij afati situata do të rivlerësohet. Bizneset e tjera që kanë dalë më herët në tregun e lirë, siç janë ato në 35 kv, po vazhdojnë të furnizohen me çmimet reale që rezultojnë nga ankandet, të cilat janë dukshëm më të larta. Muaji me tarifat më të shtrenjta deri më tani ka rezultuar nëntori 2021, me një tarifë 38.7 lekë/kWh ndërkohë që në dhjetor kishte një ulje të lehtë të këtij çmimi duke u stabilizuar në 31.7 lekë./Monitor

 


Shtuar 5.03.2022 07:17