Dola gjallë, deshte zoti! Gazetarja nga lufta në luftë: Vij nga familje e dëbuar

Linda Karadaku, e cilësuar ‘gazetarja e luftës’ e vetmja grua shqiptare që ka raportuar në katër luftra të ndryshme të rajonit, e sapokthyer nga eksperienca në Ukrainë ndau disa momente nga karriera e saj profesionale tejet e larmishme. E ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi, ajo rrëfeu se rreziqet në terrenet e luftës janë të padiskutueshme por të paevitueshme. Ndër momentet më të vështira të karrierës së saj, ajo kujtoi një moment kur është ndaluar në Maqedoni të cilën e cilësoi si ditën kur iu fal jeta.

“…nuk parapëlqej të flas për to, por unë e kam përjetuar dy herë ndalim në dy zona të ndryshme. Më e rënda prej tyre ka qenë në Maqedoni. Nuk e di pse dola gjallë, por dola gjallë dhe ja ku jam. Desh Perëndia mos të ndodhte e keqja. Mbaj mend një moment që më merrnin në pyetje. Më merrnin nga një stacion policie në tjetrin dhe më merrnin në pyetje. Më jepnin ato copat e letrës dhe më thonin shkruaj. Unë sigurisht që nuk shkruaja. Dhe e kapa veten duke vizatuar një shtëpi. E pa ndërgjegja kërkonte që të shkoja në shtëpi.” – rikujtoi Linda.

Ndër ngjarjet më të rëndësishme që Linda ka mbuluar në punën e saj si gazetare ka qenë edhe lufta e Kosovës, jo thjesht për përjetimet drithëruese por edhe për lidhjen e fortë. Ajo jo thjeshtë është me origjinë kosovare, por dhe bashkëshorti i saj është shqiptar i Kosovës. Teksa flet për raportin e saj më partnerin e jetës, rrëfeu dhe se dikur në lidhjet direkte të atyre viteve ka raportuar burgimin e bashkëshortit, me të cilin vetëm disa vite më vonë lidh kurorë.

“Unë kam raportuar për të. Kjo ishte më e bukura. Im shoq ka qenë i burgosur, një nga 2000 shqiptarët që ishin në burgjet e Serbisë. E mbajtën atje, është liruar pas uftës një përvojë horror. Kur ata janë arrestuar unë ndërkohë punoja për mediat e Kosovës. Raportova emrat e tyre, përfshi edhe emrin e tij që ishin arrestuar. Kur jemi takuar i kam thënë ‘je ti që ka qenë ky raporti që e kemi dhënë ne?’ as më ka shkuar mendja që njeriu për të cilën po raportoja, do të martohesha më vonë. Por kështu ndodhi.” – shprehu Karadaku./albeu.com/