Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lajmëruar se lufta në Ukrainë, mund të sjellë vështirësi ekonomike kudo, përfshi edhe në vendin tonë.
Sipas Bashës, megjithëse vendi ynë nuk rrezikohet nga sulmet, pasi është anëtar me të drejta të plota i NATO-s, ndikimi pritet të jepet në ekonomi.
Për këtë arsye kreu i demokratëve tha se i bën thirrje qeverisë që të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit dhe mbi planin e masave që ka ndërmarrë apo do të ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
“Ndërsa ndjekim me shqetësim sulmin brutal dhe të paprovokuar të Rusisë mbi Ukrainën dhe qëndrojmë të vendosur pranë popullit të Ukrainës në këto ditë të vështira, me shpresën që ky agresion kundër një shteti sovran, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare do të ndalojë sa më parë,
Këtu, në vendin tonë, na lind detyra që të minimizojmë sa më parë pasojat e kësaj lufte.
Sot siguria jonë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe falë faktit se Shqipëria është anëtare e NATOs. Por është e qartë për të gjithë, se agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi, nga çmimet e drithërave dhe vështirësimi i sigurimit të tyre, tek cmimi i karburanteve, dhe për rrjedhojë edhe i produkteve dhe shërbimeve të tjera.
Për këtë arsye sot i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat edhe ne kushtet aktuale e kanë të vështirë të përballojnë nevojat bazë.
Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit është e qartë për të gjithë. Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e popullsisë ne vend sot e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre”, tha Basha./albeu.com/