Pse Donbas është zemra e konfliktit Rusi-Ukrainë?

CNN

Situata në Ukrainën Lindore vazhdon të jetë e tensionuar pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi vendosjen e trupave “paqeruajtës” në Donbas pas njohjes së pavarësisë së dy rajoneve separatiste pro-ruse.

Analistët thonë se ky mund të jetë fillimi i një konflikti më të gjerë në vend dhe shumë zyrtarë e kanë quajtur këtë veprim një kërcënim për sovranitetin e Ukrainës. Konflikti nuk është i ri për rajonin e Donbasit. Për gati tetë vite, vendi është përfshirë në një lufte me intensitet të ulët midis separatistëve dhe forcave ukrainase, duke shkaktuar më shumë se 14 mijë viktima.

Por vendimi i Putinit të hënën përforcon ndjeshëm shqetësimet rreth synimeve të Moskës në rajon.

Çfarë ka ndodhur për herë të fundit në Donbas?

Lufta shpërtheu në vitin 2014 pasi rebelët e mbështetur nga Rusia pushtuan ndërtesat qeveritare në të gjithë Ukrainën lindore. Si pasojë, pjesë të rajonit lindor të rajonit të Donbasit, Luhansk dhe Donetsk ranë në duart e separatistëve të mbështetur nga Rusia. Rusia gjithashtu aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, në një veprim që ngjalli reagime të shumta globale, raporton abcnews.al

Zonat e kontrolluara nga separatistët në Donbas u bënë të njohura si Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donetskut. Qeveria ukrainase në Kiev pohon se të dy rajonet janë në fakt të pushtuara nga Rusia. Republikat e vetëshpallura nuk njihen nga asnjë qeveri, përveç Rusisë. Qeveria ukrainase refuzon të bisedojë drejtpërdrejt me republikat separatiste.

Marrëveshja e Minskut në vitin 2015 çoi në një marrëveshje të lëkundur armëpushimi dhe konflikti u zhvendos në një luftë statike përgjatë vijës së kontaktit që ndau qeverinë ukrainase dhe zonat e kontrolluara nga separatistët.

Marrëveshjet e Minskut (të emërtuara sipas kryeqytetit të Bjellorusisë ku u nënshkrua ) ndalojnë armët e rënda pranë vijës së kontaktit. Gjuha rreth konfliktit është shumë e politizuar. Qeveria ukrainase i ka quajtur forcat separatiste “pushtuese”. Mediat ruse i quajnë forcat separatiste “milici”, duke theksuar se ata mbrojnë veten kundër qeverisë së Kievit.

Më shumë se 14,000 persona kanë vdekur në konfliktin në Donbas që nga viti 2014. Ukraina thotë se 1.5 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ku shumica kanë qëndruar në zonat e Donbasit dhe rreth 200,000 janë zhvendosur në Kiev.

Si ka nxitur Putin konfliktin?

Separatistët në Donbas kanë pasur mbështetje të konsiderueshme nga Moska. Rusia kishte deklaruar prej kohësh se nuk ka vendosur ushtarë atje, por zyrtarët e SHBA-së, NATO-s dhe ukrainas thonë se qeveria ruse i ka ndihmuar prej kohësh separatistët.

Moska gjithashtu ka shpërndarë qindra mijëra pasaporta ruse për njerëzit në Donbas gjatë viteve të fundit. Ditën e djeshme, parlamenti rus njohu zyrtarisht dy rajonet e shkëputura pro-ruse si shtete të pavarura, një tjetër përshkallëzim në retorikë që sipas zyrtarëve demostron se Putin nuk ka ndërmend të respektojë marrëveshjen e Minskut, raporton abcnews.al

Putin ka akuzuar prej kohësh Ukrainën për shkeljen e të drejtave të rusëve etnikë dhe rusishtfolësve në Ukrainë dhe ka thënë se ishte brenda të drejtave të Rusisë që të ndërhynte ushtarakisht për t’i mbrojtur ata. Të mërkurën e kaluar, Putin pretendoi se në Donbas po kryhej “gjenocid”. Pretendimet e tij nuk janë të panjohura por politikëbërësit perëndimorë janë të frikësuar nga përsëritja e një konflikti të vitit 2008 në Gjeorgji.

Duke folur për gjenocidin, Putin po i bënte jehonë pretendimit të rremë të Rusisë se Gjeorgjia kreu gjenocid kundër civilëve në republikën separatiste të Osetisë Jugore në gusht 2008. Gjatë atij konflikti të shkurtër, Rusia filloi një inkursion masiv ushtarak në Gjeorgji.

Ashtu si në vitin 2014, rajoni i Donbasit është tani pika e konfliktit midis lindjes dhe perëndimit, midis përpjekjes së Putinit për të rivendosur kontrollin, për të dobësuar Ukrainën dhe aspiratës në rritje të ukrainasve për t’u bashkuar me demokracitë europiane.

 


Shtuar 22.02.2022 11:31