SHBA shprehen dakord për një takim të nivelit të lartë për krizën Rusi-Ukrainë

Bideni deklaroi se është i gatshëm që të flasë me Putinin. Por Rusia e quajti të parakohshëm një takim të tillë. Politikanë të tjerë paralajmërojnë që dritarja e diplomacisë po mbyllet me shpejtësi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të organizojnë një samit me Rusinë për të shmangur një pushtim të Ukrainës. Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden ka rënë dakord në parim për bisedime të drejtpërdrejta me kreun e shtetit rus, Vladimir Putin për të gjetur një zgjidhje për konfliktin. Kushti, megjithatë, do të ishte që Rusia të mos nisë një operacion ushtarak kundër Ukrainës gjatë përpjekjeve diplomatike.

Nisma për një takim të nivelit të lartë mes Bidenit dhe Putinit erdhi nga Franca. Presidenti francez Macron ka folur në telefon orët e fundit me Putinin dhe Bidenin, si dhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin britanik Boris Johnson dhe presidentin ukrainas Volodimir Selenskyj.

Kancelari Scholz do të telefonojë sot me presidentin rus Putin

Kancelari gjerman Olaf Scholz do të telefonojë sërish me presidentin rus Vladimir Putin për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Biseda do të zhvillohet sot pasdite, njoftoi në Berlin zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit. Ai tha se biseda ishte koordinuar ngushtë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe do të trajtonte gjithashtu një samit të mundshëm me Putinin dhe Presidentin e SHBA Joe Biden.

Hebestreit tha më tej se qeveria gjermane e mirëpriti faktin që Biden kishte ofruar një takim të drejtpërdrejtë me Putinin. Shpresohej që pala ruse ta pranonte këtë ofertë. “Tani do të ishte e rëndësishme që të merren me përgatitjet e nevojshme në mënyrë që një samit i tillë të mund të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Hebestreit.

Por Rusia i quajti “të parakohshme” që të flitet për plane për një takim të nivelit të lartë Rusi-Ukrainë, midis Presidentit Putin dhe Presidentit amerikan Biden. Vetëkuptohet që qeveria ruse nuk e përjashton një takim të tillë. Ka pajtim që dialogu duhet të vazhdojë në nivelin e ministrave të jashtëm, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Një takim midis dy ministrave të jashtëm, Lavrov dhe Blinken, është i mundur të mbahet këtë javë.

Më tej u bë e ditur se Putini do të thërriste sot një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit rus dhe se do të fliste atje. Në rajonin e Donbasit, në Ukrainën lindore, situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe shqetësuese, u bë e ditur. Bombardimet dhe provokimet vazhdojnë, tha Kremlini.

Gjermania mirëpret përpjekjet për dialog

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshëndeti nismën e Francës për takime të tjera të nivelit të lartë me presidentin rus Putin. Politikania e të Gjelbërve tha në Bruksel se kriza mund të zgjidhet vetëm në tryezën e bisedimeve.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë i tha Rusisë se dialogu ishte mënyra e vetme për t’u marrë me krizën e përshkallëzuar në Ukrainë.

Duke folur përpara një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian të hënën, Annalena Baerbock i dërgoi një mesazh kreut të shtetit rus. “I bëj një thirrje urgjente qeverisë ruse, presidentit rus: Mos luani me jetë njerëzore”, tha Baerbock.

Ajo vuri në dukje shtimin kohët e fundit të luftimeve në Ukrainën lindore dhe një zgjerim të stërvitjeve ushtarake që përfshijnë Rusinë dhe Bjellorusinë.

“Ajo që kemi parë në 72 orët e fundit për sa i përket sulmeve, përplasjeve të dhunshme është vërtet shqetësuese,” tha Baerbock.

“Përgjegjësia është e qeverisë ruse, prandaj i bëj thirrje urgjente qeverisë ruse: Kthehu në tryezën e bisedimeve. Është në duart e tua.”

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, Michael Roth përshëndeti gjithashtu planet për një samit. Bëhet fjalë për shmangien e një lufte, tha politikani socialdemokrat për transmetuesin e Berlinit, RBB. Rusisë i duhen bërë të qarta pasojat e dhimbshme të një sulmi ndaj Ukrainës.

Schallenberg: “Shenjat për stuhi vazhdojnë”

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, paralajmëroi që të mos ketë pritje shumë të larta ngva një samit i mundshëm. Dritarja e diplomacisë po mbyllet dukshëm, por ende nuk është mbyllur, tha ai.

Schallenbergu vuri në dukje se gatishmëria e Rusisë për të vazhduar dialogun është një sukses i frikësimit të ushtruar deri tani nga kërcënimet me sanksione. Gjithçka është në tavolinë. Megjithatë, gazsjellësi Nord Stream 2, në të cilin marrin pjesë Rusia, Gjermania dhe Austria, nuk mund të jetë elementi qendror i një skenari kërcënimi, tha Schallenberg./DW


Shtuar 21.02.2022 13:34