Rusia ka kryer testet e fundit të raketave balistike hipersonike, raketave lundruese dhe raketave me kapacitete bërthamore, si pjesë e stërvitjeve “të planifikuara”, tha Kremlini më 19 shkurt.
Këto stërvitje po mbahen në kohën e rritjes së tensioneve mbi Ukrainën.
Mediat ruse kanë cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov të ketë thënë se presidenti Vladimir Putin dhe lideri bjellorus Aleksandar Lukashenka, kanë shikuar stërvitjet nga Kremlini. Peskov tha se stërvitjet janë pjesë e procesit të rregullt të trajnimeve.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në stërvitje morën pjesë pothuajse të gjitha degët e forcave të armatosura ruse, përfshirë edhe forcat ajrore dhe të raketave strategjike, por edhe flotat në Detin e Zi dhe atë Verior, që kanë nëndetëse me armë bërthamore.
Stërvitjet u mbajtën disa orë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se tani janë të bindura se Moska po planifikon që “brenda ditësh” ta pushtojë Ukrainën.
Rusia thotë se nuk ka plane që ta sulmojë Ukrainën. Por, Uashingtoni insiston se me grumbullimin e mbi 150,000 trupave ruse në kufijtë e Ukrainës – dhe në total 190,000 trupa nëse llogariten edhe forcat separatiste në lindje të Ukrainës që mbështeten nga Rusia – Moska ka vendosur që ta pushtojë Ukrainën./rel